Pika kulmore e verës po afron për ne që jetojmë në Hemisferën Veriore, por ndërsa përgatitemi për më shumë diell dhe temperatura përvëluese, planeti ynë po rrotullohet në pikën më të largët nga dielli.
Të enjten në orën 15:55 me orën e lindjes së SHBA-së (ET), planeti ynë arriti në atë që quhet afelion – pika më e largët në orbitën e saj rreth diellit, afërsisht 3 milionë milje më larg sesa kur është më afër.
Kjo ndodh çdo vit në fillim të korrikut, çka mund të tingëllojë e çuditshme. Nëse jemi më larg nga dielli, a nuk duhet të jetë më freskët?
Njerëzit priren ta lidhin afërsinë me nxehtësinë, kështu që duket logjike të mendohet se stinët shkaktohen nga ndryshimet në largësinë e Tokës nga dielli. Por largësia e planetit ka shumë pak të bëjë me këtë, shkruan CNN.
Arsyeja e vërtetë për ndryshimet sezonale të temperaturave qëndron në faktin se Toka është e anuar.
Planeti ynë rrotullohet me një kënd – rreth 23.5 gradë – që do të thotë se pjesë të ndryshme të globit marrin më shumë (ose më pak) dritë dielli në varësi të periudhës së vitit. Në korrik, Hemisfera Veriore është e anuar drejt diellit, duke sjellë ditë më të gjata dhe kënde më të larta të diellit që çojnë në më shumë dritë dielli direkte – e gjitha kjo prodhon nxehtësinë e verës.


