“Autoritarizmi, pushtetet autoritare në botë, mëtojnë t’i japin fund demokracisë. Por, ata e kanë gabim”, citohet të ketë thënë presidenti Biden gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ditë më parë.
Fareed Zakaria i CNN-it thotë se presidenti Biden ka të drejtë, meqë bota po përballet me një recesion të demokracisë. Shumë pushtete autoritare në botë e kanë lënë demokracinë, në vend se ta përqafojnë atë. Ai përmend presidentin hungarez, Orban, dhe pushtetin e tij autokratik, duke vazhduar me Nikolas Maduron e Venezuelës e deri në Ugandë.
Megjithatë, shton Zakaria, ekziston një pikë e mirë referimi e një shembulli të demokracisë-Tajvani. Sipas një publikimi të “The Economist”, Tajvani zë vendin e 11-të në botë për nga demokracia. Nga viti 2019, Tajvani është ngritur njëzet vende më lart. Testi i demokracisë në Tajvan është vërtetuar në zgjedhjet e fundit, ku Tajvani ka treguar forcë të madhe të demokracisë, të një sistemi të ri të qeverisjes, ku popullata pati rastin të zgjedh përfaqësuesit e vetë.
Nga viti 2012, Tajvani ka krijuar demokracinë digjitale, duke u ofruar qytetarëve të debatojnë ose bashkëpunojnë me qeverinë. Së fundi, çdo qytetar i Tajvanit ka qasje në internet pa censurë. Prandaj, Tajvani, me të drejtë, sipas “Freedom House”, konsiderohet si ambienti më i lirë ‘online’ në botë, bile edhe para demokracive të njohura, si Gjermania ose Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pjesëmarrja qytetare është evidente edhe ‘offline’. Në vitin 2014, studentët e Tajvanit vërshuan rrugët e Tajvanit në kundërshtim të një marrëveshjeje tregtare me Kinën, duke e ‘okupuar’ edhe Parlamentin. Protestat qenë të suksesshme dhe marrëveshja me Kinën u zhbë. Besimi i qytetarëve ndaj Qeverisë tajvaneze është rritur sidomos së fundi me menaxhimin e pandemisë. Tajvani, me 24 milionë banorë, ka vetëm 16 mijë raste me Covid-19, krahasuar me vendet e tjera me numër të ngjashëm të popullsisë, ku numri i rasteve është pesëfish më i madh, si për shembull në Australi.
Megjithatë, pavarësisht të gjitha këtyre të arriturave, demokracia e këtij vendi është e kushtëzuar: teknikisht, Tajvani nuk është një shtet sovran. Kina pretendon se Tajvani është pjesë e saj dhe ka për qëllim ribashkimin me të. Në ndërkohë, Kina vazhdon me kërcënime ushtarake ndaj këtij vendi dhe në ndërhyrje përmes dezinformatave. Ky është një shembull i mirë që t’i kujtohet presidentit Biden se demokracia në këtë vend është fragjile.
https://edition.cnn.com/videos/tv/2021/09/26/gps-0926-taiwan-china-democracy.cnn?fbclid=IwAR1KY9AAswjE-meLRbhu3AWYxS71tBFMvnq_fsEBuAjtAB35EzWYq5as8nA