Izraeli ka kryer një sulm në një shkollë në Gaza ku u vranë së paku 40 njerëz, përfshirë 14 fëmijë.
Pas këtij sulmi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se janë në kontakt me Izraelin në lidhje me ngjarjen.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller në një konferencë për media tha se në videot që janë parë nga terreni, 14 fëmijët e vrarë nuk janë terroristë.
“Ne kemi parë raportet në terren, kemi parë videot nga terreni, kemi parë pretendimet se 14 fëmijë janë vrarë dhe sigurisht kur e shihni, nëse kjo është e saktë se 14 fëmijë u vranë, ata nuk janë terroristë”, tha Miller, shkruan CNN.
Ushtria izraelite tha të enjten se “20 deri në 30 militantë të Hamasit dhe Xhihadit Islamik” ishin strehuar në shkollën e shënjestruar në këtë sulm.
Siç shkruan CNN, bazuar në një analizë të bërë video dhe një rishikimi të një eksperti të armëve shpërthyese, municionet e përdorura në sulmin në shkollë janë prodhim i Shteteve të Bashkuara.
Ndërsa, Miller tha se sulmi në shkollë nuk përbënte kapërcim të të ashtuquajturës “vijë të kuqe” të presidentit amerikan, Joe Biden, për Izraelin, sepse linja i referohej një “operacioni në shkallë të gjerë në Rafah”, të cilin ShBA-ja, sipas tij, nuk e ka parë ende.