Çmimet e medikamenteve mjekësore në vendin tonë, kanë ndryshime nga një barnatore në barnatoren tjetër.
Në një prononcim për GazetaBlic, farmacistja Laureta Kosumi ka treguar se pse ka dallime të barnave në çmime dhe rregullin ligjor që duhet të kenë barnatoret në Kosovë.
“Barnat për pacientët e Kosovës, janë shumë të kushtueshme dhe shpeshherë detyrohen të mos i marrin barnat. Çmimet mes barnatoreve janë të ndryshme, për arsye të mos hyrjes në fuqi të nivelizimit të çmimeve të barnave, si dhe për shkak të tregut të zi të barnave që operon lirshëm në Kosovë”, tha ajo.
Kosumi potencoi se, duhet të jetë një fond për rikthim të pagesës të pacientëve në Kosovë.
“Me vendosjen e nivelizimit të çmimeve të barnave, rrugës do ishte të kishim edhe një fond të sigurimeve shëndetësore ku pacientët do të mund të rimbursonin barnat e blera, sepse edhe me nivelizim do ketë dallime të mëdha. Për arsye se recetat e mjekëve tanë, janë të rënduara me numër të madh suplementesh, të cilat nuk do hyjnë në nivelizim. Por si farmacistë jemi optimist që me nivelizim të çmimeve, do të vinë në vend shumë gjëra në sektorin tonë”, theksoi ajo për GazetaBlic.
Kur pritet që barnat ta kenë çmimin e njëjtë në të gjitha barnatoret e Kosovës?
Farmacistja Kosumi, thekson se në rregullimin ligjor barnatoret në Kosovë duhet të jenë të barabarta.
“Dallimet në çmime kanë ndodhur për arsye të ndryshme, e gjeri më tani nuk ka pasur rregullim ligjor rreth çmimeve të barnave dhe, barnatoret janë furnizuar nga kompanitë operuese të cilat ju kanë dhënë kushte të ndryshme barnatoreve varësisht nga kërkesat dhe sasia e artikujve të marrë. Me rregullimin ligjor edhe barnatoret, do jenë të barabarta dhe klientët do kenë mundësinë të zgjedhin profesionistin e duhur, të cilët ju japin udhëzimet më të qarta profesionale, e ku nuk do jetë më primare çmimi i barit por shpjegimet dhe udhëzimet që duhet marrë për çdo medikament, në mënyrë që të vie deri tek përdorimi i duhur dhe siguria e plotë e pacientëve”, përfundoi farmacistia Laureta Kosumi.
/GazetaBlic/
Sëmundja e diabetit: Endokrinologu Ismaili tregon simptomat e para të diabetit tek fëmijët