Lajme

Çka po ndodh në takimin Bislimi-Petkoviq në Bruksel

11/23/2022 21:24
nga:G B

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se shpreson që të mërkurën do të arrihet marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave ilegale serbe.

Takimi trepalësh ka nisur rreth orës 16:00.

Kosova përfaqësohet nga kryenegociatori, Besnik Bislimi, derisa Serbia nga Petar Petkoviq.

Radio Evropa e Lirë merr vesh se palët kanë shkuar në pauzë pak pas orës 17:00 dhe tani palët janë duke u konsultuar me kryeqytetet – Prishtinën dhe Beogradin.

Nevoja për përpjekje maksimale për arritjen e një marrëveshjeje për targat është theksuar edhe në një takim të zhvilluar të martën ndërmjet Kurtit dhe ambasadorëve të Francës dhe Gjermanisë në Kosovë, Olivier Guerot dhe Jorn Rohde, ka thënë Qeveria e Kosovës nëpërmjet një komunikate.

Takimi në Bruksel do të zhvillohet vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka hedhur fajin sidomos te pala e Kosovës për mosarritje të marrëveshjes.

Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.