Lajme

Çitaku thotë se Hamza do t’i ‘çlirojë’ qytetarët nga dominanca e dorës së shtetit

10/16/2024 22:22
nga:G C

Vlora Çitaku, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka shprehur angazhimin e partisë për zhvillimin e vendit dhe pavarësimin e qytetarëve nga dominanca e shtetit.

Ajo ka theksuar se qëllimi kryesor i kandidatit të PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, do të jetë të sigurojë mirëqenien e qytetarëve pa u varur nga “vendimet arbitrare” të Qeverisë.

“Qëllimi kryesor i Bedri Hamzës si kryeministër i Kosovës do të jetë ta pavarësojë qytetarin e Republikës nga dominanca e dorës së shtetit”, ka deklaruar ajo.

“Qytetarët nuk guxojnë të varen nga vullneti i kryeministrit, i cili me diktat vendos se a do t’u ndajë sot 20 euro, nesër 50 euro për fëmijë, ose a do t’i japë sot dhe nuk do t’i japë muajin tjetër”, ka thënë tutje Çitaku.

Ajo ka theksuar se, përveç ndihmës që shteti ka obligim t’u ofrojë grupeve më të ndjeshme, PDK-ja do të kontribojë në përmirësimin e kushteve të jetesës.

“Ne kemi bërë shumë; përpara se të ekzistonin pensionet, ne besojmë se ndihma më e mirë për një nënë është të hapim çerdhe për fëmijët. Qeveria e tanishme ka premtuar ndërtimin e 160 çerdheve, por nuk është realizuar”, ka shtuar ajo.