Lajme

Çitaku: Specialja ka degraduar në gjyqe të politizuara e gjueti shtrigash

10/31/2023 20:48
nga:G C

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka komentuar bastisjet e fundit të Prokurorisë së Gjykatës Speciale në shtëpitë e ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit.

Çitaku ka thënë se Specialja ka degraduar në gjyqe të politizuara dhe gjueti shtrigash.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijua për të hetuar pretendimet për marrjen e organeve. Ajo tani ka degraduar në organizimin e gjyqeve të politizuara në Hagë dhe një gjueti shtrigash në shkallë të gjerë brenda Kosovës kundër gazetarëve, ish-këshilltarëve, kujtdo që ka ndonjë lidhje me UÇK-në. Një perversitet i drejtësisë”, ka shkruar Çitaku në X.

Gjatë ditës së hënë dhe martë me urdhër të ZPS-së janë bastisur shtëpitë e Blerim Shalës, Bashkim Smakës e Artan Behramit, të tre ish-këshilltarë të Thaçit.