Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën kundër raportit të Dick Martyt.
Ajo nëpërmjet një postimi në Facebook ka falënderuar Shqipërinë.
“Shqipëri tu rritë nderi!”, shkruan ajo.
Ndryshe, Parlamenti shqiptar miratoi sot me 125 vota pro rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t për Kosovën.
Rezoluta e propozuar nga shumica në Shqipëri i konsideron të pabaza pretendimet e ngritura në vitin 2011 nga një raport i asamblesë së Këshillit të Evropës, sipas të cilit gjatë luftës në Kosovë është kryer trafik organesh njerëzore nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Autoritetet deklaruan se do të kërkojnë nga Këshilli i Evropës rishikimin e rezolutës së vitit 2011 duke qenë se të gjithë hetimet e deritanishme nuk kanë nxjerrë asnjë provë apo fakt të tillë.


