Lajme

Çitaku për bastisjet nga Gjykata Speciale: Kjo është përndjekje

10/31/2023 09:52
nga:Sh R

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar pas bastisjeve që janë duke kryer Gjykata Speciale.

Çitaku në një postim në Facebook ka thënë se kjo nuk është drejtësi, por sipas saj përndjekje e persekutim.

“Kjo nuk është drejtësi. Kjo është përndjekje. Persekutim. Dje Blerimi e Bashkimi. Sot Artani. Nesër nuk e di. Po ajo që po shihet sheshazi është që kjo është përndjekje politike”, ka shkruar ajo.

Ndryshe të hënën cak i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ishin banesa e ish-këshilltarit të ish-presidentit Thaçi, Blerim Shala dhe shtëpia e ish shefi i AKI-së, njëherës ish-këshilltar i Thaçit, Bashkim Smakaj.

Me mëngjes filluan bastisjet në dy lokacione.

Bastisjet zgjatën disa orë, ku në hyrje qëndronte Policia e Kosovës.

Ndërsa, zyrtarët policorë të Kosovës janë vendosur mëngjesin e sotëm para banesës së Artan Behramit, ish-këshilltar i ish-presidentit, Hashim Thaçi.

Deri tani nuk ka ndonjë informatë zyrtare përse PK-ja po qëndron aty.

Teksa në parkingun e ndërtesës janë edhe veturat e EULEX-it.

Gjatë ditës së djeshme, Behrami ka reaguar pasi Prokuroria e Gjykatës Speciale me seli në Hagë ka kryer bastisje në banesën e dy ish-këshilltarëve të ish-presidentit Thaçi, Blerim Shalës dhe Bashkim Smakajt.

Ai është shprehur se këto bastitje janë skandaloze dhe të paprecedent.