Lajme

Çitaku paralajmëron intensifikim të aktiviteteve: “Do të përdorim çdo mjet demokratik”

08/10/2026 18:27
nga:L J

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se Kosova ndodhet në një situatë të paprecedentë, duke akuzuar se Kushtetuta po shkelet në mënyrë të përsëritur,raporton Gazeta Blic.

Pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Çitaku tha se askush nuk do ta kishte imagjinuar që në vitin 2026, një person që ka marrë një numër të madh votash në Kosovë, do ta shkelte Kushtetutën në mënyrë të përsëritur.

“Kosova është në një terren të pashkelur më parë. S’kush nuk do të kishte imagjinuar që në vitin 2026, me një lehtësi të padurueshme, njeriu që ka marrë një numër të jashtëzakonshëm të votave në Kosovë, e shkel Kushtetutën, e këtë jo një herë, po në mënyrë serike disa herë”, tha Çitaku.

Ajo theksoi se PDK-ja do të vazhdojë aktivitetet e saj politike dhe qytetare, duke paralajmëruar përdorimin e të gjitha mjeteve demokratike për, siç tha ajo, kthimin e Kosovës “në binarë të drejtë”.

“Ne do të intensifikojmë aktivitetet tona, do të përdorim çdo mjet demokratik, qytetar, politik e publik për të kthyer Kosovën në binarë të drejtë. Ky vend, kjo Republikë, kjo Kushtetutë është miratuar me shumë mund, me shumë gjak, me shumë sakrificë dhe ne nuk do të lejojmë që të nëpërkëmbet”, deklaroi Çitaku.