Lajme

Çitaku i reagon gazetarit nga Shqipëria: Të marrë ka pasur e do të ketë përherë mes nesh

07/25/2022 12:44
nga:G B

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar ndaj gazetarit nga Shqipëria, Bledi Mane, i cili tha se kosovarët nuk e përdorin vajin e ullirit, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se të marrë ka pasur e do të ketë përherë mes nesh, teksa ka shtuar se ai ka thurur një varg broçkulla për ne nga Kosova.

Ajo e sheh si shqetësuese prirjen për tu bërë autoparlant i të marrëve të cilët me çdo kusht synojnë të ndajnë shqiptarët.

Postimi i saj i plotë në Facebook:

E paskan gjetë dikund një gazetar në Shqipëri, të cilit dorën në zemër kurrë nuk ia kam dëgju emrin, i cili mes tjerash, paska thurrë një varg broçkulla për ne nga Kosova.

Punë e madhe. Të marrë ka pasë e ka me pasë përherë mes nesh.

Por, ajo që është shqetësuese është prirja për tu bërë autoparlant i të marrëve të cilët me çdo kusht synojnë të ndajnë shqiptarët. E kjo prirje nuk është e sotme.

Ndërkohë, dallimet krahinore e rajonale i kemi me bollëk edhe ne këtu brenda vetes. Nuk po dua tua përkujtoj se me çfarë përbuzje flitet për rajone të caktuara të Kosovës këtu mes nesh.

Qytetërimi nuk ndërlidhet me vendbanimin, por me refuzimin e mendësisë provinciale dhe me refuzimin e injorancës.

Unë dje isha në Junik, pashë e shijova traditë e qytetërim, më shumë se në shumë qytete.

Gazetari nga Tirana fyen kosovarët: Ju nuk përdorni vajin e ullirit, ende jeni të pleskavica dhe lakra