Lajme

Çitaku: Ditën kur po nënshkruhej deklarata e Pavarësisë, Kosovës i kishte rënë një perde hyjnore

03/13/2024 17:14
nga:Sh R

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Citaku ka folur më shumë rreth ditës kur është shpallur Pavarësia e Kosovës, duke u shprehur se atë ditë ka shkuar cdo gjë në rregull.

Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, e ftuar në emisionin Reload, ka folur më shumë rreth ditës së 17 shkurtit të vitit 2008, ku ka qenë pjesëmarrëse.

“Ditën e Pavarësisë së Kosovës nuk ka ndodhur asnjë aksident,” u shpreh Çitaku.

Ajo tregoi se ka qenë përgjegjësi e saj që të udhëheqte organizimin e ceremonive të asaj dite.

“Unë përvec se kam qenë deputete kam qenë edhe përgjegjëse kur është pas themeluar një komision ndërinstitucional që ka qenë përgjegjës për organizimin e të gjitha festiviteteve dhe ceremonive të ditës së pavarësisë dhe unë e kam udhëhequr atë ekip.”

Përgatitjet për “koreografinë” e ditës së pavarësisë, Çitaku tregoi që i kanë nisur kohë më herët.

“Por në përgatitjet për ditën, pra koreografinë e ditës së pavarëisë i kemi pas nisur shumë kohë më herët por ne nuk kemi qenë lojtari i vetëm, pra është dashur të bëhet një koordinim i hatashëm me faktorët relevantë ndërkombëtarë, posacërishtë me SHBA,” shtoi Çitaku.

Çitaku tregoi se është dashur të bëhet edhe koordinimi me KEK-un, që të mos ndalet rryma gjatë orareve të caktuara, por sipas saj pasi kryeministri Hashim Thaqi, e kishte dhënë lajmin ishte ndalur rryma.

“4 ditë më herët është caktuar dita. Është vendosur për ditën e dielë në ora 3. Nuk e harroj kurrë cfarë presioni ka pasur, sepse atëherë Kosova nuk ka pasur konferenca për shtyp, është dashur me improvizu një sallë për konferenca për shtyp në hotel Grand, sepse është ndalur rryma vazhdimisht. Pasi e dha lajmin kryeministrin u ndal rryma, por nuk vrehet për shkak të reflektorëve. Nuk do ta harrojë kurrë.”

Atë ditë në Kosovë ndonëse ka qenë dita më e ftohtë, as një aksident trafiku nuk ka ndodhur, secili është kujdesur maksimalisht që ta ruajë madhështinë e asaj dite, tregoi ajo.

“Një perde hyjnore ka pas ra mbi Kosovë.”