Lajme

Cili është shkaktari i vdekjeve në vendin e punës? – Këtë vit 9 raste

08/02/2025 21:12
nga:Mergim Rreci

E mërkura e 30 korrikut doli të jetë fatale për një 40-vjeçar nga Drenasi.

N.XH., derisa ishte duke punuar në një kulm ndërtese, ra nga lartësia, duke pësuar lëndime të rënda trupore, që për pasojë i shkaktuan vdekjen.

Por ky rast që ndodhi tri ditë më parë, nuk është i vetmi gjatë korrikut.

Jusuf Azemi nga Sindikata e pavarur e sektorit privat thotë se kjo është vdekja e 21-të në vendin e punës në shtatë muajt e parë të vitit.

Të gjitha këto raste me fatalitet, i përkasin sektorit të ndërtimtarisë.

Sipas Azemit, në këto raste, përgjegjësi kanë pronarët e kompanive.

“Në 95% e rasteve shkaktari është faktori njeri dhe në rend të parë, pronarët e kompanive janë ata të cilët kanë përgjegjësi. Por, në rend të dytë është edhe Inspektorati i Punës, i cili duhet t’i monitorojë kompanitë dhe të jenë më përgjegjëse”, ka thënë Azemi.

Mirëpo, një pjesë e fajit, sipas Kenan Gashi nga Avonet, e kanë edhe vet punëtorët.

“Gjatë hulumtimeve që kemi bërë tek kompanitë ndërtimore, kemi parë që shpeshherë punëtorët kërcënojnë apo i paralajmërojnë udhëheqësit e kompanive, që nuk i zbatojnë masat e sigurisë, duke mos i vendosur kapelat, rrypet e sigurisë, dhe kjo ka shkaktuar dhe shkakton pasiguri dhe incidente. Kemi pasur raste të tilla kur pronarët janë ankuar tek ne se punëtorët nuk po i vendosin masat e sigurisë, dhe këta nuk guxojnë të marrin masa, sepse kanë mungesë të punëtorëve në Republikë të Kosovës”, ka thënë Gashi.

Mirëpo se gjatë vitit 2025 u shënuan 21 raste të vdekjes në vendin e punës, e kanë mohuar nga Inspektorati i Punës.

Në një reagim, këta të fundit kanë thënë se këto deklarime janë të pasakta dhe të paverifikuara.

“Duke u bazuar në të dhënat zyrtare, të verifikuara dhe të përpunuara nga inspektorët dhe Divizionet e inspektimeve ne Rajonet e Inspektoratit Qendror të Punës, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 kanë humbur jetën 7 punëtorë si pasojë e aksidenteve në vendin e punës. Deri më datën 1 Gusht 2025, ky numër ka arritur në 9 viktima”, thuhet nga Inspektorati i Punës.

Ndërkaq në një përgjigje për tëvë1, nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se për shtatë muaj të këtij viti, në këtë instititucion u raportuan 140 raste të asgjësimit, dëmtimit ose heqjes së pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimit të sigurisë në vendin e punës.

Këtë vit në krye të detyrës, kanë gjetur vdekjen edhe zjarrfikës, ku për dy prej tyre Qeveria në detyrë ndau disa mjete.