Lajme

Cili është plani i Putinit për zgjedhjet presidenciale në Rusi, sipas ish-ministrit rus?

12/23/2023 22:18
nga:Sh R

Politikani i shquar i opozitës ruse, Alexey Navalny, ka munguar në dy seanca gjyqësore, gjë që ka ngritur shqetësime te publiku në lidhje me arsyen e mosparaqitjes.

Sipas ekipit të opozitarit, ai është zhdukur për 17 ditë, dhe ende nuk dihet vendndodhja e tij.

Kohëzgjatja e mungesës së Navalnyt ka ngritur shqetësime, madje ka aludime se zhdukja e tij nuk është rastësi.

Kjo për faktin se, ai nuk u pa më në publik që nga njoftimi i presidentit rus, Vladimir Putin për rikandidimin e tij në zgjedhjet e vitit 2024.

Mendoj se është taktikë e qëllimshme. Nuk është rastësi që Navalny u zhduk pikërisht në momentin kur u shpallën të ashtuquajturat zgjedhje të rreme presidenciale, dhe që Putini njoftoi se do të kandidonte përsëri”, tha ish-zëvendës ministri rus i energjisë, Vladimir Milov.

Pavarësisht përpjekjeve për të gjetur vendndodhjen e tij, deri më tani nuk ka asnjë përgjigje.

Madje për të kërkuar informacion janë kontaktuar edhe shërbimet e burgjeve ruse, të cilat konfirmuan se Navalny nuk ndodhej aty.

Sipas Milov, kjo qartë duket se është shantazh për forcat opozitare, për shkak se Putini është i gatshëm të fitojë zgjedhjet edhe përmes frikësimit dhe presionit ndaj shoqërisë.

Ndryshe, presidenti 71-vjeçar rus, Vladimir Putin pritet të fitojë me lehtësi edhe një mandat të pestë – duke e mbajtur atë në pushtet të paktën deri në vitin 2030 – në votimin e marsit të vitit 2024 pas eliminimit të pothuajse të gjithë opozitës. /cnn