Ani pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdimisht thotë se tema e asociacionit dhe dialogu me Serbinë nuk janë primare për të, në vitin 2024 dolën të ishin ndër temat kryesore.
E kështu konsiderohet të jetë edhe më 2025, pavarësisht nëse Kurti do të fitojë një tjetër mandat si kryeministër ose jo.
Të paktën kështu thotë analisti politik Bekim Kabashi.
“E kalumja na tregon që secila qeveri në të kaluarën, sikurse edhe zoti Kurti përkundër mos vullentit të tij të merret me këtë çështje, është imponu të merret dhe ka qenë kryetema, sigurisht që do të jetë edhe për kryeministrin e ri kushdo qoftë ai , Kurti apo dikush tjetër ka me u marrë me temën e dialogut”, ka thwnw Kabashi.
Sipas Kabashit lidhur me këtë çështje mund të ketë presion më të madh nga administrata e re amerikane e Donald Trumpit.
“Nëse tema e Kosovës do të jetë më interes për SHBA-të, atëherë do të ketë presion më të madh sesa në të kaluarën për të u zgjidh kjo, për t’i dhënë zgjidhje çështjes Kosovë-Serbi”, ka shtuar Kabashi.
Ndërkaq, analisti tjetër politik Afrim Kasolli thotë se deklarimet e partive politike së fundmi se nuk do të merren me draft-statutin e asociacionit, janë vetëm deklarime për fushatë.
“Kosova nuk ka aleternativë tjetër në bazë të kushteve aktuale nuk ka rrugë tjetër për të zhbllokuar procesin dhe agjendën integruese dhe eurointegruese pa i plotësuar këto kritere”, ka thwnw Kasolli.
Sipas marrëveshjes bazike mes Kosovës dhe Serbisë, vlerësohet se themelimi i Asociacionit do t’i ofrojë komunitetit serb në Kosovë një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit.