Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se për shkak të reshjeve të shiut dhe vërshimeve, janë intensifikuar monitorimet e cilësisë së ujit, kësisoj, IKSHPK, ka shtuar se janë marr mostra për analizë fiziko-kimike dhe mikrobiologjike nga sistemet publike të ujëfurnizim.
Në komunikatën e IKSHPK’së, njoftohet edhe për situatën në rajonet e vendit, ku bëhet e ditur se fabrika për trajtimin e ujit në Shkabaj dhe Bivolak janë jashtë funksionit për shkak të turbullirës së madhe, ndërsa ato në Badoc dhe Batllavë funksionojnë normalisht, cilësia e ujit është brenda standardeve.
Pos rajonit të Prishtinës, IKSHPK njofton edhe për situatën në rajonet e tjera.
Komunikata e plotë:
Si pasojë e reshjeve të shtuara atmosferike ditët e fundit, IKSHPK në bashkëpunim me Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik ka intensifikuar monitorimin e cilësisë së ujit të pijshëm në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Gjatë kësaj periudhe janë realizuar marrje të mostrave për analizë fiziko-kimike dhe mikrobiologjike nga sistemet publike të ujëfurnizimit.
Situata me ujin e pijshëm më 9 janar 2026
Rajoni i Prishtinës
Fabrika për trajtimin e ujit në Shkabaj dhe Bivolak janë jashtë funksionit për shkak të turbullirës së madhe.
Fabrika e ujit në Badoc dhe Batllavë funksionojnë normalisht, cilësia e ujit është brenda standardeve.
Rajoni i Prizrenit
Burimi i ujit nga “40 bunarët” në qytetin e Prizrenit është lëshuar vetëm për nevoja teknike. Burimet e tjera, si Cvilen dhe Soz, uji është brenda standardeve.
Në Suharekë dhe Dragash uji është brenda standardeve.
Në Malishevë uji përdoret vetëm për nevoja teknike.
Rajoni i Gjilanit
Në qytetin e Gjilanit uji është brenda standardeve.
Në Kamenicë, Viti dhe fshatrat Makresh, Ropotovë, Ranillug dhe Berivojcë vlerat e turbullirës janë të rritura dhe uji nuk rekomandohet për pije.
Rajoni i Pejës
Në qytetin e Pejës dhe Istogut uji është brenda standardeve.
Ujësjellësi Deçan, Junik, Klinë furnizimi me ujë është vetëm për përdorim teknik.
Mbivada dhe Vrella me turbullirë, uji shfrytëzohet vetëm për nevoja teknike.
Burimi i Jarines, uji shfrytëzohet vetëm për nevoja teknike
Rajoni i Ferizajt
Uji është i pijshëm – brenda standardeve.
Rajoni i Gjakovës
Furnizimi me ujë nga rrjeti KRU Gjakova është i sigurtë për pije.
Hoqa e Madhe, Opterusha, Zaqishta vlera të rritura të turbullirës, uji nuk është i pijshëm.
Rajoni i Mitrovicës
Uji përdoret vetëm për nevoja teknike.
IKSHPK në koordinim me Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik dhe Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit vazhdon me monitorim të shtuar të cilësisë së ujit të pijshëm me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës.


