Sporti

Chelsea mund ta huazojë Estevaon, gjiganti gjerman interesohet për të

07/06/2025 16:11
nga:Genita C

Estevao, një yll i Palmeiras dhe tani lojtar i Chelseat, mund të largohet nga Londra në formë huazimi. Klubi londinez e bleu talentin brazilian, por po shqyrton mundësinë që ai të marrë përvojë në një skuadër tjetër në Evropë.

Estevao është konsideruar një prej talenteve më premtues të futbollit jugamerikan dhe do t’i bashkohet Chelseat pas Kupës së Botës për Klube, negjithatë, për shkak të konkurrencës në sulm, ai mund të mos ketë minuta të menjëhershme në ekipin e parë.

Në moshën 18-vjeçare, sulmuesi përballet me sfidën për t’u përshtatur në një skuadër të fortë, ku konkurrenca është e madhe. Chelsea po planifikon ta huazojë atë për të ndihmuar në zhvillimin e tij dhe për të siguruar minuta të vlefshme loje.

Një nga skuadrat që ka shfaqur interes të madh për huazimin e Estevaos është Bayer Leverkusen në Gjermani. Trajneri Erik ten Hag e sheh lojtarin si një përforcim të rëndësishëm për sulmin e skuadrës së tij.

Leverkusen synon të përfitojë nga shpejtësia dhe aftësitë e sulmuesit për të përforcuar ekipin në Bundesligë dhe Ligën e Kampionëve, derisa projekti i klubit gjerman është i njohur për zhvillimin e lojtarëve të rinj dhe për ofrimin e një mjedisi konkurrues.

Ky huazim mund të jetë i dobishëm për Estevaon, duke i dhënë mundësinë të fitojë eksperiencë në një nga ligat më të forta evropiane dhe të zhvillohet nën drejtimin e një trajneri të njohur si Ten Hag.

Chelsea mbetet i interesuar për të mbajtur kontrollin mbi talentin e ri dhe shikon këtë huazim si mënyrën më të mirë për t’i siguruar rritje të qëndrueshme pa humbur perspektivën e tij për të ardhmen në klub.