Lajme

Çfarë shkruante Albin Kurti për vdekjen e dyshimtë të ish-shefit të AKP-së, Dino Asanaj?

08/07/2021 20:29
nga:Gazeta Blic

Kryeministri Albin Kurti, kishte bërë një shkrim të gjatë në kohën kur në mënyrë të çuditshme kishte ndërruar jetë ish-shefit të AKP-së, Dino Hasanaj.

Kurti kishte shkruar mbi motivet e vdekjes së Hasanajt – vdekje të cilën Kurti e quante të dhunshme.

Shkrimi i plotë:

10 çështje të diskutueshme mbi vdekjen e dhunshme të ish-kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, z.Dino Asanaj

1.     Arsyeja e shëndoshë e thotë se meqenëse në trupin e z.Asanaj u evidentuan 11 goditje me thikë kjo s’mund të ketë qenë vetëvrasje. Ndoshta mund të gjendet ndonjë rast ndonjëherë ndokund se ka pasur edhe vetëvrasje të tilla – zaten bota dhe historia janë shumë të mëdha e të gjera – mirëpo ato paraqesin shembuj anekdotikë e jo reprezentativ.

2.     Në vend se të mos përjashtohet vrasja e z.Asanaj deri sa të dëshmohet e kundërta, këtu hetimi u nis nga presupozimi (dhe njëkohësisht konstatimi) i vetëvrasjes. Inicimi subjektiv për një situatë objektive gjithsesi ishte i anshëm.

3.     Ajo çfarë publikisht dihet për biografinë e z.Asanaj na rrëfen që ai ka qenë në pozita shumë më të rënda në jetë por s’ka bërë vetëvrasje. Kushdo që e ka njohur s’e beson shpjegimin për vetëvrasjen e tij. Nëse karakteri i Dino Asanajt ka qenë i fortë, siç e pohojnë të gjithë që e kanë njohur, dhe nëse vetëvrasja e tij qenka akt i moralit të lartë, shpjegimet e letrës së tij nuk e kanë lartësinë e duhur.

4.     Z.Asanaj vazhdimisht është përfolur e akuzuar nëpër medie të ndryshme nga njerëz të ndryshëm. Ato 4 milionë euro të Grand Hotelit, dhe të tjerat për fermën e pulave, janë imtësira për procesin e gjatë dhe masiv të privatizimit. Le të mos harrojmë që z.Asanaj e mbante vetë gjithë arkivën e AKP-së.

5.     Z.Asanaj e ka paralajmëruar dorëheqjen e tij me 28 shtator 2011 dhe i ka dhënë afat prej 60 ditësh Kuvendit të Kosovës për këtë punë, pra deri më 1 dhjetor 2011. Arsyet ka thënë se janë personale dhe ka mohuar se ka pasur presione politike. Ka kritikuar vetëm paraardhësit, të huajt. Me 24 tetor, Bordi i AKP-së i kërkon të kthehet duke ia lavdëruar punën dhe ky pranon me kënaqësi. E gjithë kjo duhet të jetë pjesë e hetimeve tash. Kush dhe si e bindi z.Asanaj që të mos jep dorëheqje?

6.     Z.Asanaj vdiq në QKUK të enjten më 14 qershor 2012. E varrosën menjëherë të premten e 15 qershorit 2012, shpejt e shpejt. Pse? Edhe kur njerëzit vdesin në aksident komunikacioni zakonisht pritet së paku 48 orë, apo jo? Pse i gjithë ky nxitim me varrosjen e tij?

7.     Para se të publikohet raporti zyrtar i konsorciumit të mjekëve të forenzikës, eksperti i mjekësisë ligjore Arsim Gërxhaliu del e flet menjëherë të nesërmen në emisionin Interaktiv të KTV-së dhe në minutin e pestë thotë që nuk ka dyshim se ishte vetëvrasje meqenëse nuk ka shenja të rezistencës nga një trup korpulent si ai i Dino Asanajt. Pse ky nxitim me këtë konstatim? Pse në emision televiziv e jo me raport të zgjeruar e të thellë profesional? (Shih intervistën e Xhemajl Rexhës me Dr.Arsim Gërxhaliun në http://www.kohavision.net/video/interaktiv/4272/)

8.     Mjekët e forenzikës nuk do të duhej të konkludonin si hetues duke thënë që s’kishte rezistencë prandaj ishte vetëvrasje, por të konstatojnë shkakun e vdekjes. Cila goditje me thikë e la të vdekur atë? Kaq. E jo të bëjnë punën e policëve, prokurorëve e gjykatësve hetues. Për më tepër, Doktori Arsim Gërxhaliu jep edhe vlerësime që nuk janë bash konsistente në intervistën e tij: në fillim të emisionit përmend goditjen në zemër si fatale e kah gjysma e emisionit flet për humbjen e madhe të gjakut si shkaktari që ‘e ka bërë të veten’.

9.     Nëse letra e tij është e vërtetë si dorëshkrim, si përmbajtje ajo është nën çdo nivel. Kur i kemi parasysh 11 therrje me thikë, a mund të jetë që ajo letër është shkruar dikur përgjatë torturës? Fundja, kur thuhet se paska qenë vetëvrasje meqë s’ka pasur rezistencë, a do të thotë kjo që të burgosurit politikë dhe robërit e luftës që gjatë torturave s’kanë bërë rezistencë, shpjegimi për vdekjen e tyre të dhunshme na shpie pikë së pari te konkludimi i vetëvrasjes?!

10.  Kryeministri Hashim Thaçi asokohe ndodhej në Arabinë Saudite. Sikur kryeministri Thaçi t’i kishte marrëdhëniet e mira me z.Dino Asanaj, ai do të kthehej prej Arabisë Saudite pa e përfunduar vizitën disaditore me avashllëk atje, porsa të ketë dëgjuar për vdekjen e z.Asanaj. E, po t’i kishte marrëdhëniet mesatare, nga Arabia Saudite nuk do të shkonte më pastaj në një vizitë tjetër në Bullgari ku me 19 qershor 2012, pra plot pesë ditë pas vdekjes së dhunshme të z.Asanaj, kryeministri Thaçi mbajti ligjëratë në Klubin Atlantik të Bullgarisë. Z.Dino Asanaj ishte shumë më i rëndësishëm se cilido ministër.

Prishtinë, 4 tetor 2012