Lajme

Cfarë pritet të ndodh pas 5 nëntorit? Halimi: Zgjedhjet mbeten opsioni më i mirë prej më të keqës

11/04/2025 10:12
nga:N K

Vetëm edhe një ditë kohë i ka mbetur Lëvizjes Vetëvendosje për të vendosur nëse do të propozojë një kandidat tjetër për kryeministër, apo vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Afati 10-ditor, brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani duhet ta mandatojë një kandidat të ri ose të shpallë zgjedhjet, përfundon nesër, më 5 nëntor.

Njohësi i çështjeve politike, Jeton Halimi, ka folur në lidhje me atë se çfarë e pret vendin këto ditë.

“Tash e dimë edhe me ligjin e Kosovës, edhe me Kushtetutë, që një herë është ezauruar Albin Kurti dhe nuk ka mundur, prej atij afati 15-ditor, prej momentit kur e ka akredituar presidentja Osmani. Neni 95 i Kushtetutës e thotë shumë qartë: nëse personi i parë nuk arrin të zgjidhet, duhet të zgjidhet një person tjetër. Lëvizja Vetëvendosje duhet të gjejë një person adekuat, sepse opozita e ka thënë qartë që nuk mund të arrijë të sigurojë 61 vota. Tash LVV-ja duhet t’i sigurojë këto 61 vota, t’ia dërgojë presidentes për kandidatin tjetër, jo për Albin Kurtin. A është zoti Konjufca apo kush tjetër, është çështje e tyre e brendshme. Nëse jo, atëherë, konform afatit kushtetues, duhet që presidentja brenda 40 ditëve të caktojë një datë të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme në Republikën e Kosovës.”

Ai për Gazeta Blic u shpreh se kryeministri Kurti po mundohet të shfrytëzojë çdo minutë për interesa dhe lëvizje të veta, por që, sipas tij, populli është i vetëdijshëm ndaj veprimeve të tij mashtruese.

Sipas tij, sjelljet e Kurtit gjatë fushatës parlamentare dhe komunale kanë bërë që opozita të mos vazhdojë bashkëpunimin me të.

“Është ngopur sovrani që Albin Kurti është një manipulant dhe një mashtrues tipik, klasik, që vetëm për lëvizje dhe interesa të veta mundohet të bëjë tifo apo të krijojë kushte më të mira.”

“Mirëpo, sovrani dhe një pjesë e opozitës nuk duan më të bashkëpunojnë me të dhe e dinë çfarë sjellje ka pasur si gjatë fushatës parlamentare, ashtu edhe asaj komunale. Një njeri që nuk qetësohet dhe nuk përmirësohet, besoj se edhe bashkëpunimi me të është në pikën zero. Edhe në bazë të fjalëve të opozitës, Kurti nuk ka lënë vend e klimë për bashkëpunim me njerëzit e opozitës për të formuar qeverinë.”

Halimi shprehet se nëse kryeministri Kurti nuk i ka votat deri më 5 nëntor, duhet të shpallen menjëherë zgjedhjet e jashtëzakonshme, që të mos mbesin për datat e fundit të dhjetorit, pasi është e pamundur për shkak të festave dhe pushimeve të fundvitit. Zgjedhjet, sipas tij, mbeten zgjidhja e vetme për vendin, në një situatë kur as opozita dhe as NISMA nuk duan bashkëpunim me Kurtin.

“Nëse më 5 nëntor zoti Kurti nuk i ka 61 vota, menjëherë presidentja duhet të gjejë një datë brenda 40 ditëve, që të mos bie para 20 dhjetorit, pasi është muaji i fundit i vitit. Duhet të ecim tutje, jo me inate politike, por drejt një zgjidhjeje më të mirë.”

“Opozita thjesht s’don të bashkëpunojë me të. Tash edhe NISMA ia ka kthyer shpinën, siç themi në termin popullor, dhe zgjedhjet mbeten opsioni më i mirë prej më të keqes,” – përfundoi Halimi për Gazeta Blic.