Lajme

Çfarë po përgatit Lista Serbe- Analistët flasin për pasojat e vendit pas zgjedhjeve të djeshme në veri

04/24/2023 11:37
nga:Genita C

Analisti politik, Dritëro Arifi thotë se zgjedhjet në veri të Kosovës do të kenë pasoja në të ardhmen e afërt.

Arifi në një prononcim për GazetaBlic thotë se, duhet të gjindet domosdoshmërisht një zgjidhje politike, një marrëveshje politike në mënyrë që në këto komuna të arrihet paqja e qëndrueshme.

“Nga aspekti kushtetues dhe ligjor zgjedhjet kanë qenë të jashtëzakonshme, por pa ndonjë zgjidhje politike. Normalisht, pas këtyre zgjedhjeve do të ketë pasoja”, tha Arifi.

“Tash kemi katër kryetar të komunave të gjithë shqiptar në shumicën e popullatës serbe. Duhet të shkohet me të gjitha procedurat që të çertifikohen dhe mandej të pritet që në periudhat e ardhshme të gjendet ndonjë zgjidhje politike, sepse në veri duhet edhe një marrëveshje politike që të arrihet ajo paqja e qëndrueshme”, shtoi Arifi.

Arifi thotë se që të arrihet një marrëveshje politike për paqe në veri, nuk varet vetëm nga Kosova, por edhe nga Serbia dhe faktori ndërkombëtar.

“Kjo nuk varet vetëm nga Kosova, por edhe nga Serbia dhe faktori ndërkombëtar. Pra, pa implementimin e marrëveshjes, vështirë që do të kemi paqe të qëndrueshme”, tha Arifi.

Edhe Arton Demhasaj që është njohës i çështjeve politike thotë për GazetaBlic, se legjitimiteti në zgjedhjet e veriut ëshë i cunguar.

“Si tërësi ka qenë një proces ligjor i qetë, edhe pse 70% e qendrave të votimit nuk janë hapur dhe janë improvizuar përmes kontenjer. Në anën tjetër, ky proces e ka një legjitimitet të cunguar sepse pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë shumë e vogël dhe mendoj se mungon legjitimiteti në një përqindje kaq të ulët të daljes në votime”, tha ai.

Demhasaj thotë se kandidatët që fituan në komunat përkatëse e kanë shumë të vështirë ta marrin mandatin.

“Sa i përket pasojave, mendoj se do të jetë e vështirë që këta kandidatë që mbrëmë e shpallën fitoren, të kenë mundësi ta marrin mandatin. Kjo vlen për faktin që shteti nuk ka mbërri t’i hap as shkollat që përdoren si qendra të votimit në ato komuna veriore”, tha ai.

“Do të jetë shumë e vështirë që këta kandidatë të ushtrojnë pushtetit në komunat përkatëse”, tha Demhasaj për GazetaBlic.

Edhe Muhamet Kelmendi thotë se Lista Serbe do të bëjë akte terroriste pas këtyre zgjedhjeve.

“Duke u mbështetur në ideologjinë nacional-ultrashoveniste serbe, akte terroriste do të bëhen nga Lista Serbe dhe nga gruper kriminale të Vrangelit në veri, që janë të armatosura, sidomos pas zgjedhjeve. Sa do të jenë intenzive, priten të shihen”, tha Kelmendi për GazetaBlic.