Lajme

Çfarë po ndodhë me Fondin Sovran – Flasin nga Gjykata Kushtetuese

04/09/2024 10:45
nga:Genita C

Gjykata Kushtetuese kanë mohuar raportimet se ligji për Fondin Sovran është rrëzuar.

Gjykata Kushtetuese për GazetaBlic thotë se, ky ligj është ende duke u shqyrtuar.

“Raportimet me vendimmarrjen e Gjykatës në këtë rast nuk qëndrojnë. Kjo lëndë është duke shqyrtuar nga Gjykata dhe sapo të merret vendimi, për këtë njoftohen me kohë të gjitha e përfshira në rast dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kujtojmë se, Ligji për Fondin Sovran i miratuar në dhjetor të vitit 2023 në Kuvendin e Kosovës është konstetuar nga partitë opozitare.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e kanë dërguar për vlerësim këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese.

Të dyja këto parti e konsiderojnë këtë ligj diskriminues dhe në kundërshtim me parimin e ekonomisë së lirë të tregut.

Çka është Fondi Sovran?

Nëpërmjet Ligjit për Fondin Sovran, e gjithë pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës pritet t’i bartet këtij Fondi.

Fondi Sovran do të marrë përsipër ndërmarrjet publike të natyrës komerciale si Trepça, Korporata Energjetike e Kosovës, Posta, Telekomi, Hekurudhat Infrakos dhe Hekurudhat Trainkos, si dhe asetet me potencial zhvillimor që tani administrohen nga Agjencia e Privatizimit.

Fondi Sovran do të menaxhojë me këto ndërmarrje duke rritur vlerën, performancën dhe kthimin në investimet që do të bëhen.

Për Qeverinë e Kosovës, Ligji për Fondin Sovran është një nga reformat më të mëdha për zhvillim ekonomik të vendit.

Sipas Qeverisë, Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimin e keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike.

Ligji e definon Fondin Sovran si in­s­ti­tu­ci­on investues dhe zhvi­lli­mor të Kosovës.

Kapitali themeltar i Fon­dit Sovran, siç thuhet në Ligj, është 20 mi­li­onë euro dhe mbu­lohet nga Qeveria e Ko­so­vës dhe bartet në llogarinë e Fondit në Bankën Qendrore.

Përmes administrimit të ndërmarrjeve dhe aseteve të Kosovës, Fondi Sovran synon “zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve”.​

/GazetaBlic/