Zhvillimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, vendimi i Kuvendit të partisë që Lumir Abdixhiku të vazhdojë si kryetar i partisë, si dhe vendimet politike që pritet të merren në këtë periudhë, ishin disa nga temat që u diskutuan mbrëmë në “Rubikon” të Klan Kosovës.
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar në Klan Kosova se Kuvendi i fundit i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka qenë shembull i ushtrimit të demokracisë së brendshme partiake.
Ajo theksoi se për herë të parë një kryetar partie, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar votëbesim nga Kuvendi, duke ia kthyer legjitimitetin anëtarësisë dhe delegatëve të partisë, transmeton Klankosova.tv.
“Është tepër e rëndësishme për demokracinë e brendshme partiake, që kemi dhënë një shembull se si duhet ushtruar demokracia e brendshme. Tjetra është që është hera e parë që një kryetar partie e pyet Kuvendin, nëse mund të vazhdojë mandatin, e kthen legjitimitetin tek anëtarësia, tek përfaqësuesit e delegatët që janë përfaqësues të anëtarësisë së LDK-së”, tha ajo.
Megjithatë, analistët politikë vlerësuan se votëbesimi i kaluar nuk nënkupton zgjidhjen e problemeve të LDK-së.
Sipas tyre, sfida kryesore e partisë nuk qëndron tek demokracia e brendshme, por tek mungesa e rezultateve konkrete.
Rrahman Paçarizi theksoi se LDK është tepër e fokusuar në Prishtinë dhe nuk po arrin të shtrihet mjaftueshëm në terren nëpër Kosovë, duke nënvizuar se pa rezultate reale, demokracia e brendshme mbetet e pamjaftueshme.
“LDK nuk vuan nga mungesa e demokracië, por nga mungesa e rezultateve, por sa të duhet demokracia pa rezultate? Mendoj qe LDK nuk ka vuajtuar as nga udhëheqja apo struktura në Prishtinë. Por Kosova nuk është veç Prishtinë. Nëse doni me mbërri rezultat në Kosovë, duhet me u shtri nëKosovë. LDK vuan nga mungesa e punës në terren”, tha Paçarizi.
Në të njëjtën linjë, Ilir Deda tha se modeli liderist që dikur e ka karakterizuar LDK-në nuk funksionon më sot.
Ai vlerësoi se komunat që udhëhiqen nga LDK kanë profile të ndryshme dhe mungesë të një ideologjie të përbashkët, ndërsa thirrjet e vazhdueshme në trashëgiminë e Ibrahim Rugovës nuk rezonojnë më me votuesit e rinj.
“LDK i ka shtatë komuna, me shtatë profile të ndryshme liderësh që nuk kanë kurgjo të përbashkët, përpos që janë në një parti politike. Ideologjia, kauza… Ata munden me përkujtu, por nuk munden me u thirr në Rugovën.. për votuesit e ri dhe sfidat është nonsens”, tha Deda.
Kritika më e ashpër erdhi nga Avni Arifi, i cili akuzoi LDK-në për mungesë guximi politik dhe për largim të kuadrove të saj.
“Prej që ekziston Kosova në parlament partitë opozitare kanë bashkëpunu, frika nga bashkëpunimi me PDK-në… politikanët e LDK-se më shumë frikësohen me u duk si pro PDK-së sesa pro VV-së. Pse tuteni prej LDK-së”, tha Arifi.


