Lajme

Çfarë komente dërgoi Kosova në Bruksel për planin e sekuencimit?

07/20/2024 23:44
nga:Gazeta Blic

Qeveria e Kosovës ka treguar disa informacione rreth komenteve që i ka dërguar para dy ditësh në Bashkimin Evropian për planin e sekuencimit të marrëveshjes me Serbinë.

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, bëri të ditur se bëhet fjalë për një dokument shtatëfaqësh ku Kosova bën thirrje për zbatimin e marrëveshjes dhe ofrimin e sigurisë që pala tjetër të veproj me këtë qasje.

Disa orë pasi mbërritën në Bruksel te zyra e emisarit Miroslav Lajçak, detaje rreth komentet e Kosovës për planin e sekuencimit të marrëveshjes bazike, janë bërë të ditura nga Qeveria.

Klisman Kadiu, këshilltar i kryenegociatorit Besnik Bislimi, konfirmoi për Dukagjinin se në dokumentin prej shtatë faqesh, Qeveria ka theksuar nevojën për zbatimin e plotë të marrëveshjes me Serbinë.

“Disa prej çështjeve të adresuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës përmes komenteve të dërguara, kanë të bëjnë me zbatimin në plotni të Marrëveshjes Bazike, në tërësinë e të gjitha neneve të saj e natyrisht dhe pranimin e marrëveshjes nga palët, patur parasysh refuzimet e shpeshta, edhe publike të Serbisë ndaj Marrëveshjes Bazike. Gjithashtu, është shprehur nevoja për mosdevijimin, por respektimin e parimeve të marrëveshjes, e ku një shembull është ajo e ecjes paralele në zbatim, ku njëra palë bën një hap e pala tjetër një hap tjetër”, treguar Kadiu.

Kadiu bëri të ditur se aty janë paraqitur edhe argumente që tregojnë se Kosova ka përmbushur një pjesë të obligimeve të saj.

Këto deklarime dhe komente analisti politik Fidan Ukaj, po i sheh me shumë skepticizëm sa i përket rezultateve, ani pse i jep të drejtë Kosovës në kërkesat e saj.

“Mendoj që pala tjetër, ashtu siç ka kërkuar vazhdimisht do të kërkoj themelimin e asociacionit dhe akuzoj Kosovën si palë jokonstruktive në zbatimin e marrëveshjeve. Lënia në vullnet të palëve për të dërgu komente ka qenë vullnet i mirë, po nuk do të prodhojë diçka pozitive”, ka thënë Ukaj.

Ukaj kërkon që BE-ja të ketë qasje më të barabartë ndaj të dy vendeve.

“Nëse vazhdohet me një politikë të tillë toleruese ndaj Bashkimit Evropian karshi Serbisë, dhe i bëhet presion Kosovës për themelimin e Asociacionit me shumicë Serbe, dëmin më të madh dialogut ia ka bë zoti Lajçak duke nxjerr pikën 7 nga dakordimi i Brukselit dhe Ohrit dhe me vendos si pikën e parë për Kosovën”, ka shtuar Ukaj.

Komentet që palët patën për obligim t’i dërgojnë në Bruksel deri më 18 korrik, janë të dhjetat deri më tani për planin e sekuencimit të marrëveshjes bazike.