Asambleja e Këshillit të Evropës në Strasburg, trajtoi ditën e sotme kërkesën e kryeministrit Edi Rama për rishikiminn e raportit të Dick Marty-t, ku akuzohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës për krime lufte. Në këtë raport, në një prej akuzave përmendet ekzistenca e një “shtëpie të verdhë”, ku sipas Marty-t anëtarët e UÇK-së kryenin trafikimin e organeve.
I ftuar në emisionin “Zona Zero” në Top News, ish-ushtaraku i UÇK-së, Bujar Haradinaj, deklaroi se ai vetë nuk ka dijeni fare për ekzistencën e një vendi të tillë, ndërsa shtoi se ky është një trillim për të njollosur luftën e Kosovës për liri.
“Në kushtet që kishte atje, ne nuk kishim mjek për vete. Këto ndërhyrje kërkojnë kushte specifike. Nuk ka pasur shans të ndodhte diçka e tillë për vetë kushtet që ne kemi pasur atje. Kam kaluar disa herë në Burrel. Jemi armatosur, kemi marrë indiciet ku do shkojmë të luftojmë apo të stërvitemi. Aty ka qenë pika e nisjes për të gjithë ata që kanë ardhur të luftojnë nga jashtë.
Unë vetë nuk e di ku është shtëpia e verdhë. Kjo është përdorur për të njollosur një ushtri që ka marrë mbështetjen e qeverive të gjithë botës, një ushtri mbrojtëse që e thonë dhe të tjerë amerikanë dhe britanikë. Kemi pasur një mbështetje në vitet 50-60-70, Shqipëria ka qenë nëna jonë në shumicën e rasteve kur Kosova ka pasur nevojë. UÇK ka qenë një ushtri e pastër për të mbrojtur pragun e vet. Ne nuk kemi sulmuar Serbinë, ne kemi mbrojtur vendin tonë. Ne kemi kaluar nëpër shumë filtra të Gjykatës së Hagës dhe asgjë nuk është gjetur. Shpresoj që shumica e shteteve ndërkombëtare do ta mbështesin këtë kauzë dhe që UÇK të pastrohet njëherë e mirë.”- deklaroi ai.


