Revista e njohur Foreignpolicy.com ka publikuar një analizë për ndikimin e mundshëm të politikës së jashtme të presidentit Donald Trump në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Dersia shumëkush në rajon frikësohet nga ndonjë lëvizje inkurajuese drejt nacionalistëve serbë, trans-aksionalizmi i administratës së re mund të befasojë të gjithë.
Kontestet, më të shumta në Uashington për sa i përket qasjes së administratës Trump në çështjet globale, lidhen me Ukrainën, Kinën, Lindjen e Mesme dhe së fundmi me Grënlandën. Ndërkaq për Ballkanin Perëndimor është fulur shumë pak.
Megjithatë, ndryshimet në politikën e jashtme të SHBA-së në rajon mund të ndryshojnë status quo-në delikate, që mbizotëron aty.
Gjendja aktuale e Ballkanit Perëndimor dhe ekuilibri gjeopolitik i brishtë kanë parandaluar, që Bosnja dhe Hercegovina të rrëshqasë përsëri në luftë civile, ndërsa ka mbajtur të ngrirë konfliktin Serbi-Kosovë për 26 vjet.
Në veçanti, nacionalistët serbë janë optimistë për kthimin e presidentit të SHBA-ve Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Ata shpresojnë se administrata e tij do të afrojë Uashingtonin më afër me Beogradin dhe me Republikën Srpska të Bosnjës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik, dëshirojnë që Shtetet e Bashkuara të kundërshtojnë qeveritë dhe institucionet perëndimore që mbështesin fuqishëm pavarësinë e Kosovës dhe strukturën e centralizuar të Bosnjës dhe Hercegovinës, siç është përcaktuar nga Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995, marrëveshja e paqes e ndërmjetësuar nga SHBA, që e ndau me forcë vendin e shkatërruar nga lufta në dy entitete kryesore: Republika Srpska dhe Federata Boshnjako-Kroate e Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilat ekzistojnë nën një qeveri qendrore që ka një presidencë me rotacion midis tre grupeve kryesore: boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve.
Nën flamurin e mbrojtjes së interesave serbe dhe avancimin e çështjes së bashkimit serb, Dodik ka kaluar vite duke minuar Marrëveshjen e Dejtonit, duke bllokuar institucionet kombëtare të Bosnjës përmes veprimeve të ndryshme që konsiderohen të rrezikshme dhe destabilizuese nga SHBA dhe qeveritë perëndimore të tjera.
Në terma praktike, kjo do të thotë lehtësimin e kufizimeve të SHBA-së ndaj serbëve pro-rusë që dëshirojnë bashkimin serb dhe kundërshtojnë sanksionet ndaj Moskës. Këto kufizime dhe presione përfshijnë sanksione ndaj Dodik dhe ultranacionalistëve, përfshirë Zëvendës Kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili ka udhëhequr Agjencinë e Sigurisë dhe Inteligjencës të Serbisë dhe është i njohur për lidhjet e tij me Moskën dhe ngacmimet ndaj zërave kundër Putin në komunitetin e emigrantëve rusë në Serbi.
Për më tepër, administrata e mëparshme e SHBA-së, ka shpallur sanksione ndaj kompanisë serbe të naftës dhe gazit NIS, e cila është në pronësi të shumicës nga Gazprom. Nuk është e vështirë të imagjinohet se Trump mund të lehtësojë presionin ndaj Serbisë për lidhjet e saj me Rusinë, duke heshtur për çështjet e të drejtave të njeriut në Serbi.
Nacionalistët serbë, që besojnë në “Serbinë e Madhe”, kërkojnë të drejtën për territore në ish-Jugosllavi, jashtë kufijve të Serbisë moderne. Gjatë viteve 1990, ndjekja e synimit për një Serbie të Madhe nga lideri serb i atëhershëm, Slobodan Milosheviq, ishte një faktor kryesor në luftërat që shkatërruan rajonin.
Megjithëse Vuçiq ka thënë se qeveria e tij nuk ka interes për të rimodeluar kufijtë ndërkombëtarë, shumë nga fqinjët e Serbisë dyshojnë se Beogradi po e sheh realizimin e Serbisë së Madhe si një objektiv afatgjatë. Një deklaratë 13 faqe, e miratuar nga Serbia dhe Republika Srpska në qershor 2024, përshkruan një vizion për dominimin serb që do të vendosë pjesë të Kosovës nën kontrollin e Beogradit dhe do të shkelte sovranitetin e Bosnjës.
Pak pas fitores së Trump në zgjedhjet e tij të vitit 2024, Vuçiç pati një bisedë telefonike “shumë të ngrohtë” me të, e ftoi atë në Beograd dhe e vlerësoi për njohuritë që kishte për Serbinë, duke theksuar se niveli i miratimit të Trump në Serbi ishte më i larti në çdo vend tjetër evropian.
Richard Grenell, dërguari i posaçëm i presidentit për negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës midis 2019 dhe 2021, ishte një figurë qendrore në ruajtjen e marrëdhënieve miqësore mes Uashingtonit dhe Beogradit gjatë mandatit të parë të Trump. Gjatë presidencës së Joe Biden, Grenell vizitoi Beogradin disa herë. Në vitin 2023, Grenell mori urdhrin e flamurit të Serbisë, dhe Vuçiq e lavdëroi atë për “dëshminë e të vërtetës për ngjarjet në Kosovë dhe vende të tjera të rajonit.”
Pavarësisht rolit të Grenell në administratën e dytë të Trump, Kosova ka të drejtë të jetë e shqetësuar për Trump 2.0.
Shtetet e Bashkuara kanë njohur pavarësinë e Kosovës që nga viti 2008, dhe sot shumica e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfshirë shumicën dërrmuese të shteteve evropiane, e njohin atë. Por Serbia, Rusia, Kina dhe një listë e gjatë shtetesh kryesisht jo-perëndimore e njohin Kosovën si pjesë të Serbisë.
Për shkak të pozicioneve të Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, është në thelb e sigurt që OKB-ja nuk do ta njohë formalisht pavarësinë e Kosovës. Trump ka kërcënuar më parë të tërheqë forcat ushtarake amerikane nga Forca e Kosovës (KFOR), një ekip paqeruajtës i udhëhequr nga NATO, duke shqetësuar zyrtarët në Prishtinë.
Megjithatë, edhe nëse Trump e realizon këtë kërcënim, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht një krizë ekzistenciale për Kosovën. KFOR duhet të jetë në gjendje të vazhdojë operacionet e saj në rast të një tërheqjeje të SHBA-së, kryesisht sepse Prishtina ka përgatitur këtë mundësi duke forcuar marrëdhëniet me Turqinë vitet e fundit.
Pas dhunës që shpërtheu midis KFOR dhe Serbisë në maj 2023, Ankaraja dërgoi një batalion komandoje në Kosovë. Turqit gjithashtu shitën dronët Bayraktar në Prishtinë. Në fund të vitit 2024, Korporata e Industrisë Mekanike dhe Kimike (një kompani mbrojtëse në pronësi të shtetit turk) dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje për ndërtimin e një fabrike prodhimi municionesh në Kosovë.
Në fund të vitit 2023, Dodik tha se fitorja e Trump në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve 2024 do të krijonte një “situatë më të mirë gjeopolitike për Republika Srpska” dhe se në këto kushte ai do të shpallte pavarësinë e entitetit serb. Pas fitores së Trump, Dodik e shpalli këtë një “fitorë” edhe për Republika Srpska, dhe vuri një kapelë MAGA jashtë pallatit të tij presidencial. Banja Luka mban marrëdhënie të mira me Moskën, e cila e shfrytëzon situatën e tensionuar në Bosnje në përfitim të saj, duke e parë Republika Srpska si një “Transnistria të Ballkanit”—një referencë për një pjesë të tokës të dominuar nga Rusia në Moldavi.
Po ashtu, një enklavë pro-ruse brenda Bosnjës e mban NATO-n dhe Bashkimin Evropian të shqetësuar për pasigurinë në Ballkanin Perëndimor—një taktikë që Kremlini mund ta përdorë gjithmonë për të shpërqendruar vëmendjen nga Ukraina—dhe krijon një çështje që pengon Bosnjën të bashkohet me NATO-n.
Në të njëjtën kohë, sanksionet perëndimore ndaj Dodik kanë shtyrë Republika Srpska më afër Kinës. Në vitin 2016, Republika Srpska dhe Kina nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi që formalizoi lidhjet, dhe Kina ka investuar në projekte ndërtimi dhe centrale elektrike në të gjithë enklavën serbe të Bosnjës gjatë viteve.
Washingtoni dhe Londra kanë vendosur sanksione ndaj Dodik për korrupsionin dhe veprimet që kërcënojnë ekuilibrin e brishtë të Bosnjës. Shtetet e Bashkuara, nën Presidentin Barack Obama, vendosën për herë të parë sanksione ndaj liderit serb të Bosnjës në janar 2017 për shkeljen e urdhërave nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës. Dodik shpreson që Trump do të lehtësojë presionin ndaj tij, duke i dhënë mundësi të bllokojë Marrëveshjen e Dejtonit.
Për sa i përket integritetit territorial të Bosnjës, autoritetet në Banja Luka duket besojnë se administrata Trump mund të mos i japë prioritet mekanizmave të zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit. Mungesa e interesit të përgjithshëm të Trump për “vlerat transatlantike”, së bashku me marrëdhëniet e tij të mira me Orban dhe Vuçiq, mund të çojë aktorët politikë në Republika Srpska të kenë shpresa të mëdha për Trump 2.0.
“Ndërsa Beogradi mund të mos e ndjekë hapur ambicien territoriale, qasja transaksionale e Trump në politikën e jashtme mund të ofrojë mundësi për të shtyrë objektivat nacionalistë në mënyrë të ngadaltë,” tha Petar Milutinovic, një bashkëpunëtor kërkimor në Institutin e Studimeve Evropiane në Beograd. “Dodik, në veçanti, mund të shfrytëzojë perceptimin e angazhimit të SHBA-së për të intensifikuar kërkesat për pavarësinë e Republika Srpska.”
Por gjërat mund të ndodhin ndryshe—dhe supozimet për qasjen transaksionale të politikës së jashtme të Trump që janë natyrshëm pozitive për Serbinë janë tepër të thjeshta. Shqipëria dhe Kosova shpenzojnë para për përpjekjet e lobimit në SHBA për të avancuar interesat e tyre, duke përfshirë bindjen e Washingtonit për të mbështetur pavarësinë e Kosovës, forcimin e aleancës Shqipëri-SHBA dhe mbajtjen e presionit ndaj Beogradit.
Po ashtu mund të ketë një rol për presidentin turk Rexhep Tayip Erdogan, duke pasur parasysh marrëdhëniet e ngushta të Ankarasë me Sarajevën, Tiranën dhe Prishtinën. “Marrëdhëniet e mira midis Erdoğan dhe Trump, nëse përdoren me mençuri, mund të kenë potencialin për të përmirësuar marrëdhëniet e SHBA-së me boshnjakët dhe shqiptarët, të cilat janë aktualisht mjaft të funksionuara keq,” shpjegoi Jahja Muhasilovic, një analist gjeopolitik dhe profesor i asociuar në Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës.
Nëse Trump ka sukses, siç ka premtuar, në ngrirjen e luftës Rusi-Ukrainë, me pjesë të tokës ukrainase që mbeten nën kontrollin rus, pasojat do të ndihen në të gjithë Evropën. Një marrëveshje diplomatike për Ukrainën mund ta bëjë Perëndimin të duket i dobët, sidomos nëse shoqërohet me heqjen e disa sanksioneve ndaj Rusisë. Nacionalistët serbë pro-rusë mund ta interpretojnë një skenar të tillë si “një fitore për strategjinë e Moskës, duke forcuar retorikën e tyre anti-perëndimore dhe thirrjet për rindërtimin rajonal, si aspiratat për ndarje në Republika Srpska ose minimin e sovranitetit të Kosovës,” tha Milutinovic.
Dejan Sajinovic, një kolumnist boshnjak dhe redaktor për Nezavisne Novine, shpjegoi se si Beogradi është më i qetë kur ka një ekuilibër të ndikimit në rajon, me anëtarët e NATO-s dhe Rusinë që bëjnë lëshime për Serbinë. “Kur ndonjëra palë fiton më shumë forcë, ekuilibri prishët dhe zakonisht do të thotë një lloj pasigurie në Ballkan,” tha ai.
Për shkak të papërcaktueshmërisë së Trump, optimizmi i Dodik dhe serbëve të tjerë mund të jetë i pabazuar. Po ashtu, ndikimi i vazhdueshëm rus në Evropën Juglindore do të kufizojë aftësinë e Beogradit dhe Banja Lukës për të u afruar më shumë me Washingtonin. Me kthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, nacionalistët serbë duhet të mendojnë me kujdes për atë që dëshirojnë.