Lajme

Çfarë biseduan në telefon Presidenti Biden e Kancelari Scholz?

12/11/2021 10:49
nga:M K

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të premten zhvilloi bisedë telefonike me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, për ta uruar për postin e ri dhe për të diskutuar për disa tema, përfshirë grumbullimin e trupave ruse afër Ukrainës, tha Shtëpia e Bardhë.

“Sot, fola me Kancelarin gjerman, Olaf Scholz, për ta uruar për emërimin e tij”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë në një postim në Twitter.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan e rikonfirmoi përkrahjen e tij për marrëdhëniet e fuqishme mes Shteteve të Bashkuara e Gjermanisë dhe dëshirën e tij për ta përforcuar edhe më tej bashkëpunimin transatlantik.

Në njoftim gjithashtu thuhet se dy udhëheqësit diskutuan për disa çështje, përfshirë përpjekjet e vazhdueshme për t’i dhënë fund pandemisë së koronavirusit, luftimin e rrezikut të ndryshimeve klimatike dhe adresimin e eskalimit të forcave ruse përreth Ukrainës, shkruan Reuters.

Të premten, Scholz tha se është thellësisht i shqetësuar rreth grumbullimit të trupave ruse përgjatë kufirit ukrainas dhe se “prandaj është e rëndësishme që Evropa të jetë e vendosur në këtë fushë dhe të tregojë qartazi se kufijtë e Evropës janë të paprekshëm”.

Përgatitjet për masa ndëshkuese kundër ekonomisë ruse u diskutuan gjatë një bisede telefonike të premten mes sekretares amerikane të Thesarit, Janet Yellen, dhe ministrit gjerman të Financave, Christina Lindner.