Lajme

Çështja e dinarit/ Musliu-Shoshi: Qeveria Kurti po i bën pjesë të dialogut me Serbinë çështjet e brendshme – po zbeh sovranitetin

03/06/2024 14:33
nga:G B

Ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, zbarkoi dje në Prishtinë, për një takim me zv/kryeministrin Besnik Bislimin.

Në deklarimin para mediave pas takimit, Lajçak tha se kanë diskutuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, Asociacionin e po ashtu çështjen e dinarit.

Mirëpo, nga Qeveria thanë se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut.

Lidhur me këtë, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se kjo qeveri vazhdimisht çështjet e brendshme po i bën pjesë të dialogut me Serbinë dhe sipas saj, kjo qasje e zbeh sovranitetin e shtetit.

“Qeveria Kurti në vazhdimësi çështjet e brendshme i ka shndërruar në çështje diskutimi me Serbinë. Vlerësoj që një qasje e tillë e zbeh sovranitetin e shtetit tonë, sepse çështjet si dinari, targat duhet të zgjidhen nga vetë Qeveria, në koordinim me aleatët tanë dhe me dialog të brendshëm”, vlerëson ajo.

Deputetja thekson se nuk pret përkrahje nga aleatët për Qeverinë, as njohje e anëtarësime, pasi Qeveria s’i ka prioritet asnjë nga këto.

“Nga kjo qeveri nuk pres përmirësim e përkrahje nga aleatët tanë, e edhe nuk pres fare asnjë njohje të re apo anëtarësim. Nuk e kanë prioritet përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë e as fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, deklaron deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi./Gazeta Blic/

Matoshi: Kurti e Bislimi jetojnë në dy hemisfera njëkohësisht – pranuan dialogimin e dinarit me Lajçakun që e shohin pro-serb

“Qeveria mund të ketë një draft të Asociacionit”/ Rugova reagon ndaj Konjufcës: Deklaratat me kontekst elektoral na dobësojnë para miqve

Lajçak pas takimit me Bislimin: Ishte konstruktiv, folëm për zbatimin e marrëveshjes dhe aspekte monetare

Takimi Bislimi-Lajçak/ Nga Qeveria tregojnë se çka u diskutua