Lajme

Çështja e dinarit/ Humolli: Ne kemi institucionet tona – nëse e shkelim veten, s’mund të jemi partnerë me Amerikën

02/15/2024 22:34
nga:G B

IAsh deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, në një prononcim për Gazeta Blic, duke folur për deklaratën e Ndihmës-sekretarit Amerikan të Shtetit, James O’Brien, se nëse Kosova nuk i trajton SHBA-të si partnerë, as SHBA s’do ta trajtojë Kosovën partnere, ka thënë se ai i sheh gjërat nga Amerika dhe jo nga këtu.

Sipas Humollit, Kosova ka institucionet e saj dhe duhet respektuar ato, pasi nëse nuk besojmë në to, as të huajt nuk na besojnë ne.

“Është deklaratë e një diplomati amerikan, që i sheh gjërat prej Amerikës, nuk i sheh prej këtu. Ne prandaj i kemi zgjedhur institucionet tona, e kemi Kuvendin tonë, e kemi Qeverinë, duhet respektuar dhe besuar institucionet tona. Në qoftë se ne nuk i besojmë institucioneve tonë, as të huajt nuk ka besojnë ne”, thekson ai.

Deputeti thotë se nëse nuk e respektojmë vetveten, as nuk mund të jemi partnerë të Amerikës.

“Në rend të parë, ka dallim partneriteti dhe me qenë argat i dikujt. Në qoftë se klasa jonë beson, institucionet tona besojnë, se ne duhet ta shkelim vetveten, mos ta respektojmë vetveten, ne nuk mund të jemi partnerë të Amerikës. Në momentin kur nuk e respektojmë vetveten, institucionet tona që e kanë shpallur pavarësinë, që kanë marrë vendime dhe nuk i respektojnë këto atëherë si mund të jemi partnerë të Amerikës”, vlerëson Humolli për Gazeta Blic.

Ai shton se institucionet duhet ta gjejnë rrugën më të mirë për të bashkëpunuar me amerikanët, por jo duke qenë inferior në raport, sepse është në pyetje jeta jonë.

“Jam shumë i bindur se duke respektuar vetveten, e kemi mundësinë ta kemi Amerikën partner, e tash mënyra e diskutimit, e debatit dhe vlerësimit me politikën amerikane është çështje taktike e qeverisë apo institucioneve tona që ndoshta duhet ta gjejnë rrugën më të mirë për të bashkëpunuar me amerikanët, por jo duke qenë inferior në raport, sepse është në pyetje jeta jonë, derisa në pyetje është jeta jonë, ne duhet vlerësuar vetveten”, deklaron deputeti Fatmir Humolli./Gazeta Blic/

 

Bajqinovci: I kemi partnerë SHBA-të, s’do të ketë problem për dinarin – ligjshmëria duhet të kthehet në vend