Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka shpalosur detaje nga procedurat e mëtutjeshme lidhur me certifikimin ose jo të kandidatëve apo subjekteve politike për zgjedhjet lokale të 17 Tetorit.
Në një prononcim për GazetaBlic, Elezi ka thënë se KQZ-ja si institucion do t’i drejtohet institucioneve tjera relevante për detaje veç e veç për secilin kandidat, përcjell GazetaBlic.
“Me qëllim të verifikimit të kandidatëve që duan të certifikohen në garën për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale, KQZ-ja do t’i drejtohet institucioneve të ndryshme, siç janë: Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrotjes dhe Doganës së Kosovës.
Në nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme janë të listuara të gjitha rastet kur një person nuk mund të certifikohet si kandidat, prandaj do të kërkohet për secilin kandidat, nga secili prej këtyre institucioneve, të bëjnë verifikimin sipas fushës së përgjegjësisë që mbulojnë.
Komunikimi me këto institucione do të jetë i vazhdueshëm gjatë këtyre ditëve. Pra, sapo të përgatiten listat e ndonjë subjekti politik, të njëjtat do t’i dërgohen këtyre institucioneve. Sipas planit operacional të miratuar nga KQZ-ja, i gjithë ky proces i dërgimit të kërkesave në këto institucione për verifikim të kandidatëve do të përfundojë deri më 23 gusht, ndërsa pranimi i përgjigjeve nga këto institucione deri më 24 gusht.
KQZ-ja do të marrë vendim për certifikimin ose jo të ndonjë subjekti apo kandidati, më së largu deri më 1 shtator”, tha fillimisht Elezi.
Ndërkaq, ai shtoi se në rast të moscertifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e pëkënaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
“Në rast të moscertifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e paknaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme. Të gjitha këto çështje, planifikohet të përfundojnë deri më 6 shtator. Kjo do t’i hapte rrugë KQZ-së për të organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim. Afati i fundit për tërheqjen e shortit është data 8 shtator”, përfundoi zëdhënësi i KQZ-së për GazetaBlic.
/GazetaBlic/