Ish-komandanti i UÇK-së njëherësh ish-kryeministër i Kosovës, Agim Çeku, kandidon në zgjedhjet e 28 dhjetorit për një ulëse në Kuvendin e Kosovës nën siglën e AAK-së me numrin 10.
Angazhimi i Çekut në politikën aktive, vjen pas një kohe pauze, dhe ai në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic” ka renditur arsyet.
Ai tha se rikthimi i Kosovës pas e ka shtyrë që t’i rikthehet politikës, institucioneve dhe Parlamentit.
“Po e shoh që e kam një të kaluar, kam investu dhe kam kontribu shumë dhe po e shoh se ai kontribut nuk po vlerësohet dhe Kosova po del nga binarët ku e kemi lënë apo për ku është nis sidomos në aspektin e Aleancave Ndërkombëtare në aspektin e afirmimit të shtetit, fuqizimit të shtetit, vendosjes së Kosovës në hartën e vendeve perëndimore, demokratike, vendeve të sigurta, vendeve që kanë një perspektivë të hapur… kështu që pakënaqësia me këtë situatë më ka shty që edhe njëherë t’i kthehem politikës, institucioneve, Parlamentit të Kosovës dhe që nga brenda të jap një kontribut, jo vetëm si spektator i kësaj gjendje. Ju kam bashkuar zotit Haradinaj, Aleancës sepse mendoj se ai vërtet e ka përnjëmend dhe mund t’i shtyjë gjërat përpara dhe thjesht dua të jem krah i tij” deklaroi Çeku.
Çeku tha se AAK-ja do të jetë fuqishëm pjesë e institucioneve dhe se do të jetë befasi e këtyre zgjedhjeve.
“Unë jam shumë i sigurtë që Aleanca do të jetë fuqishëm pjesë e Parlamentit të Kosovës, do të jetë një befaqi e këndshme e këtyre zgjedhjeve se po shoh këto ditë që jam në terren. Qytetarët tanë kanë fillu të vetëdijësohen t’i japin besimin AAK-së më të madh se herët e tjera sepse kanë fillu t’i respektojnë vlerat më shumë se herët e tjera, kanë kuptu se ku po na qon politika aktuale, kanë kuptu se është zbrapsë Kosova, kanë kuptu se Kosova ka mbetur pa një mbështetje të fuqishme të aleatëve tanë… ne e dimë se pa një mbështetje të fuqishme të aleatëve strategjik si SHBA-të, Bashkimi Evropian ne nuk mund të ecim përpara. Po e shoh një entuziazëm, mbështetje të fuqishme dhe nuk kam fare dilema se AAK-ja do të jetë pjesë e Parlamentit dhe institucioneve” tha Çeku në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/


