Ish-ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Agim Çeku, e ka ngritur një paralele në mes të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitet 98-99 dhe luftës në Ukrainë që është duke u zhvilluar tani për një muaj rresht.
Në Rubikon të Klan Kosovës, Çeku ka theksuar se Ukraina ka mundur të jetë e përgatitur për këtë luftë për punën e municionit dhe aspekteve të tjera, ndërsa për UÇK-në sipas tij, furnizimi me arme ishte i vështirë.
“Ukrainën po e shohim të gjithë me admirim rezistencën e popullit, jemi duke parë një unitet të botës përparimtare në përkrahje të Ukrainës, po shohim një luftë heroike nga ushtria, një lidership që është i pashembullt, një komunikim që është për t’u studiuar dhe mësuar”, ka pohuar Çeku.
“Por, është situatë ndryshe sot, Ukrainën po e mbështet krejt bota, Amerika i ka dhënë dy miliardë të holla për armatim dhe një miliardë për ndihma humanitare, është një mbështetje e merituar dhe e duhur”.
“Ukraina është sulmuar nga kufiri armiku ka hyrë, deri atë ditë pjesa më e madhe e Ukrainës ka qenë e lirë e ka administruar vetveten, janë përgatitur ndoshta për këtë , pushtuesi ka ardhur nga jashtë”.
“Ne e kemi pasë brenda pushtuesin, gjithë kufijtë kanë qenë të mbyllur nga pushtuesi. Aeroporti si pikë strategjike për furnizim nga jashtë ka qenë i mbyllur. Kur e shohim si po armatoset Ukraina dhe të shohim se si është armatosur UÇK, djemtë tanë janë lajmëru, janë ardh në Gllogjan s’ka armë, atëherë dikush e ka organizuar dhe i ka dërgu në Shqipëri dhe përmes rreshtave dhe pozicioneve serbe kanë kaluar janë plagosu shumë prej tyre edhe janë vrarë, ata i kanë sjellë në këtë armët”,ka thënë Çeku.


