Lajme

Çeku: Projekte të mëdha kulturore e sportive po marrin formë në rajonin e Prizrenit

12/06/2025 16:13
nga:Sh R

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka vazhduar vizitat në komunat e rajonit të Prizrenit, ku sipas tij po zhvillohen projekte kapitale në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.

Ai tha se angazhimi për modernizimin e infrastrukturës në mbarë vendin po ecën me ritme të pandalshme.

“Në Dragash ka nisur ndërtimi i Qendrës Multifunksionale, investim prej 1 milion eurosh që pritet të shndërrohet në një hapësirë bashkëkohore për të rinjtë e zonës. Në Prizren, punimet për fushat e mbyllura të tenisit po vazhdojnë me investimin prej 745 mijë eurosh, ndërsa së shpejti do të fillojnë punimet edhe për rinovimin e plotë të stadiumit “Përparim Thaçi, projekt ky me vlerë 12 milionë euro. Në Rahovec, ministria ka ndarë 2.5 milionë euro për ndërtimin e një kompleksi të madh kulturor që do të akomodojë institucionet lokale të artit. Ndërsa në Mamushë po ngrihet Qendra Kulturore Turke me një investim prej afro 2 milionë eurosh”, ka shkruar ai.

Tutje ai ka përmendur edhe punimet të cilat po vazhdojnë edhe në Suharekë, ku ndërtimi i stadiumit të qytetit po ecën me investimin prej 11 milionë eurosh, teksa fushat ndihmëse të futbollit tashmë janë përfunduar.

Sipas ministrit Çeku, këto projekte janë dëshmi e angazhimit të qeverisë për të krijuar hapësira moderne kulturore, sportive dhe rinore për të gjitha komunitetet në vend.