Lajme

Çekët në votime për zgjedhjet parlamentare

10/09/2021 16:59
nga:M K

Çekët janë sot në ditën e dytë dhe të fundit të votimit për në zgjedhjet parlamentare, në një garë të ngushtë, në të cilën kryeministri Andrej Babis u përball me kritika se keqmenaxhoi pandeminë, nxiti borxhet në rritje dhe shfrytëzoi postin për interesat e biznesit të tij.

Miliarderi Babis, dhe partia e tij populiste ANO kishin një epërsi të lehtë, sipas sondazhet para zgjedhjeve e vendit, të cilat filluan të premten (8 tetor) dhe u mbyllën sot.

Zoti Babis u zotua në fushatë për të vazhduar rritjen e pagave dhe pensioneve të sektorit publik, duke shpresuar të forcojë bazën e mbështetjes së tij popullore pas disa vitesh të rritjes ekonomike.

Por ai u përball me një sfidë të fortë nga koalicioni i qendrës së djathtë dhe blloku progresiv që refuzuan të punojnë me udhëheqësin miliarder për atë që ata thanë se ishin konfliktet e tij të papranueshme të interesit në lidhje me perandorinë e biznesit që ai krijoi para se të hynte në politikë.

Ndërsa sondazhet parazgjedhore treguan se ANO nuk kishte gjasa të siguronte një shumicë, forca politike e zotit Babis dukej e sigurtë se do të dilte si partia më e madhe, duke i dhënë kryeministrit mundësinë e parë për të formuar qeverinë e ardhshme.

Por ANO mund ta ketë të vështirë të gjejë partnerë qeverisës, ndërsa dy partitë e vogla që mbështetën qeverinë e tij të pakicës në largim, rrezikojnë të humbasin vendet e tyre në dhomën e ulët të parlamentit.

Kjo mund ta detyrojë ANO-n të kërkojë një aleancë me partinë e së djathtës ekstreme të Lirisë dhe Demokracisë së Drejtpërdrejtë./VOA/