Sporti

Rikthimi tek Real Madrid, Diaz: Kam mundësinë të shkruaj historinë me klubin më të madh në botë

06/13/2023 14:53
nga:Mergim Rreci

Brahim Diaz u rikthye te Reali i Madridit. Pas 3 sezoneve në huazim te Milani, trekuartisi spanjoll kthehet në shtëpi për të qëndruar teksa bëri dhe prezantimin e tij përkrah Florentino Perezit. Diaz duket se i ka synimet e qarta për sa i përket së ardhmes së tij, me lojtarin që u shpreh.

“Jam këtu për të fituar, kam mundësinë të shkruaj historinë me klubin më të mirë në botë. E de se çfarë domethënie ka kjo fanellë dhe çfarë përfaqëson Reali i Madridit. Tre vjet te Milani më kanë shërbyer shumë, pasi jam pjekur brenda dhe jashtë fushe”.

Rikthimi në shtëpi i Diazit vjen në një sezon kur te Reali nuk do të jenë dy emra me peshë si Benzema e Asensio, një motiv që rrit presionin.

“Janë dy lojtarë të mëdhenj, por këtu presioni është gjithmonë në maksimum dhe të gjithë duhet të japin më të mirën. Jam i sigurt se do ta përfaqësojmë Realin e Madridit si klubin më të madh të botës.

Ançelotti? Ende nuk kam folur me të, por jam i kënaqur që mund të punoj me një trajner të tillë. Kam fatin se mund të luaj me të dyja këmbët, besoj është një avantazh por është trajneri ai që do të vendosë se si do të më përdorë”.