Kombëtarja e Turqisë po dhuron paraqitje fantastike në këtë Kampionat Evropian.
Turqit kanë shkëlqyer në ndeshjen e fundit ndaj Austrisë, duke siguruar kalimin e madh në çerekfinale, shkruan GazetaBlic Sport.
Futbollistët e drejtuar nga Montella në çerekfinale do të përballen me Holandën, me qëllimin e madh për të hyrë në mesin e katër skuadrave më të mira.
Gazetarja e njohur turke, Rezzan Yetis, në një prononcim për GazetaBlic Sport tha se fillimisht kanë kaluar pritshmëritë brenda grupit, kjo për shkak se besimi i tyre i përbashkët ishte vendi i tretë, pastaj rezultatet e tjera më nuk janë befasi.
“Para fillimit të turneut, të gjithë kishim një besim të përbashkët se Turqia do të përfundonte në vendin e 3-të në grup. Nuk dyshonim as për cilësinë, as për talentin e ekipit, por menduam se mund të përfundonim pas Çekisë dhe Portugalisë. Kalimi nga vendi i dytë nga grupi ishte i mrekullueshëm për ne“, tha fillimisht ajo.
Tutje, ajo tha se triumfuan me shumë meritë ndaj Austrisë dhe se nuk ka asgjë për të fshehur që e duan finalen e madhe të ‘Euro 2024’.
“E dinim që Austria ishte skuadra më sistematike në turne, morëm një avantazh shumë të mirë me një gol të hershëm dhe mendoj se kemi prodhuar një antidot të mirë për Austrinë. Nuk u dhamë hapësirë, ishim shumë më të talentuar dhe më të sigurt se ata. Nuk do të thosha se jemi favoritë kundër Holandës, por mendoj se mund të arrijmë në gjysmëfinale duke i mundur. Finalja nuk është më një ëndërr e paarritshme për asnjërin prej nesh. Kështu që unë do të thoja se do ta shohim Turqinë në finale”, përfundoi ajo.
/GazetaBlic Sport/