Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovë (PDK), Vlora Çitaku, i ka reaguar kreut të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas ky i fundit tha se ishte pro mbajtjes së referendumit të Serbisë edhe në Kosovë.
Çitaku në një postim në rrjetin social Twitter i ka kërkuar Borrellit që ta përkthej dhe lexoj deklaratën që e ka bërë sot profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani.
“Ju lutemi që dikush ta përkthejë këtë për ju, zoti Borel”, shkruan Çitaku teksa ka bashkangjitur linkun e intervistës së Enver Hasanit.
Please have someone translate this for you Mr Borrell. https://t.co/9Ip2iUiBZm https://t.co/j1AUTPABqX
— Vlora Çitaku (@vloracitaku) January 13, 2022
Hasani sot deklaroi se Serbia nuk duhet ta mbajë referendumin kushtetues në vendin tonë sepse me këtë nënkuptohet ushtrimi i sovranitetit shtetëror dhe nacional të një vendi. Dhe kësisoj sipas tij Kosova duhet ta ndalojë që një gjë e tillë të ndodhë.
“Jo nuk duhet të mbahet për shkak se natyra juridike ose fizionomia e këtij referendumi ankorohet në sovranitetin nacional të shtetit serbë. Fjala është për referendum kushtetues. Ky është çdoherë është ushtrim i sovranitetit shtetëror dhe nacional të një vendi. Këtu bëhet djalë për shtrirë të sovranitetit serbë në Kosovë dhe për këtë arsye nuk duhet që të lejohet”, ka thënë ai në T7.
Ndërkohë që Borrell sot në Twitter ka shkruar se është pro mbajtjes së referendumit serb në Kosovë, teksa ka shtuar se njerëzve duhet t’iu lejohet ushtrimi i të drejtës së tyre për votë, derisa ka përmendur se në të kaluarën ka qenë misioni i OSBE-së ai që është marrë me ndërmjetësimin e grumbullimit të votave.
Mbrëmë kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, pas bisedës që kishte pasur me Borellin, kishte deklaruar se” Referendumi në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar nga asnjë vend demokratik”.
Një reagim të njëjtë Qeveria e Kosovës e ka bërë edhe gjatë ditës së sotme pas deklaratave të Borrellit. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se Qeveria do t’ua mundësojë qytetarëve serbë në Kosovë që kanë dyshtetësi që të votojnë në referendumin e së dielës për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë.
“Ne tashmë e kemi bërë të njohur dhe të qartë qëndrimin tonë. Serbët në Kosovë që kanë dyshtetësi mund të jenë pjesëmarrës në këtë referendum nëpërmjet votimin me postë ose në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë. Organizimi i një referendumi për çështje krejt të brendshme të një shteti tjetër në territorin sovran të një shteti tjetër nuk njeh ndonjë praktikë të pranuar në ndonjë vend demokratik. Në këtë mënyrë po respektojmë kushtetutën dhe ligjet tona, po mundësojmë që serbët me dyshtetësi të votojnë dhe në të njëjtën kohë po respektojmë praktikat më të mira ndërkombëtare”, theksoi Kryeziu”, tha Kryeziu për Telegrafin.


