E ardhmja e Michael Carrick në stolin e Manchester United po bëhet gjithnjë e më e pasigurt. Mediat angleze kanë nisur të përmendin emrat e kandidatëve që mund ta zëvendësojnë atë, ndërsa Mauricio Pochettino shihet si favoriti kryesor.
Sipas gazetarit Ben Jacobs, largimi i Carrick mund të jetë vetëm çështje kohe. Trajneri argjentinas është i hapur për një rikthim në Premier League, rreth dy vjet e gjysmë pas largimit nga Chelsea.
Pochettino aktualisht drejton Kombëtaren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe së fundmi ka rinovuar kontratën. Megjithatë, marrëveshja përmban një klauzolë lirimi, e cila nuk pritet të përbëjë pengesë të madhe për Manchester Unitedin.
Përveç argjentinasit, në listën e kandidatëve përmenden edhe Eddie Howe dhe Julian Nagelsmann. Të dy konsiderohen alternativa serioze për drejtuesit e klubit.
Manchester United pritet të vlerësojë opsionet në dispozicion përpara se të marrë një vendim përfundimtar rreth drejtimit të skuadrës.
/GazetaBlic Sport/


