Ish-mbrojtësi dhe legjenda e Liverpoolit, Jamie Carragher, ka pranuar se tashmë është bindur plotësisht nga paraqitjet e Florian Wirtz, pavarësisht se fillimisht ishte shumë kritik ndaj transferimit të bujshëm prej 125 milionë paundësh.
Analisti i “Sky Sports” e vlerëson mesfushorin gjerman si një lojtar që po rritet vazhdimisht dhe që mund të marrë stafetën e yjeve të mëdhenj të Ligës Premier.
“Nuk më vjen në mendje ndonjë rast kur një lojtar i huaj ka pasur një fillim mesatar apo të dobët dhe më pas është kthyer në lider. Nuk po flas për shtatë ndeshje, por deri në Krishtlindje apo janar. Historia nuk tregon se lojtarëve të huaj u duhet një vit për t’u ambientuar në Angli”, u shpreh Carragher.
Sipas tij, Wirtz po përmirësohet ndeshje pas ndeshjeje dhe ka cilësi të veçanta që e bëjnë të dallojë.
“Wirtz po bëhet gjithnjë e më i mirë. Në një moment, stafetën duhet ta marrë dikush tjetër dhe nuk ka asnjë dyshim se ky djalë ka cilësi reale”, shtoi ai.
Carragher e krahasoi ndikimin e Wirtz me largimin e një prej legjendave të Manchester City-t, Kevin De Bruyne, duke e konsideruar gjermanin si pasardhës të denjë në Ligën Premier.
“Premier League ka humbur Kevin De Bruyne, por ka fituar Wirtz. Po flasim për lojtarë specialë që vijnë në kampionatin tonë. E kam parë shpesh dhe kam menduar nëse ai mund të arrijë nivelin e De Bruyne”, theksoi ai.
Në fund, ish-kapiteni i Liverpoolit e krahasoi stilin e Wirtz edhe me një tjetër ikonë të City-t:
“Kur e shikoj Wirtz, mendoj se mund të jetë shumë elegant për syrin, si David Silva, por njëkohësisht ka diçka nga të dy”, përfundoi Carragher.


