Sporti

Capello tregon se cili është transferimi më i mirë i merkatos

07/19/2022 10:23
nga:Mergim Rreci

Kjo merkato e verës deri më tani ka dhuruar disa lëvizje interesante ku sigurisht nga më të bujshmet janë dy goditjet në sulm të Manchester City dhe Liverpool që transferuan përkatësisht Erling Haaland dhe Darwin Nunez.

Së fundmi, listës së sulmuesve që ndryshuan ambient i është shtuar edhe Robert Lewandowski që zgjodhi të vijojë karrierën me Barcelonën në La Liga, teksa vlen të përmendet edhe transferimi i Sadio Mane te Bayern Munich.

Por, pavarësisht emrave të sipërpërmendur për ish-trajnerin e famshëm italian, Fabio Capello, një tjetër klub ka bërë goditjen e merkatos. 76-vjeçari thekson se lëvizja që do të spostojë ekuilibrat është ajo e Romës pas marrëveshjes me Paulo Dybalën. Argjentinasi ishte një lojtar i lirë dhe ishte shumë pranë Interit në një moment të caktuar, megjithatë një telefonatë e Jose Mourinhos zhbllokoio ngërçin mbi të ardhmen e La Joya dhe Capello e konsideron si goditjen më të bujshme të merkatos.

“Mendoj se Dybala është nga ata lojtarë që mund të spostojë ekuilibrat dhe të rrisë nivelin e një skuadre. Bëhet fjalë për një futbollist të madh, një nga ata që bën diferencën në fushë. Tashmë, ndryshon pak edhe pasqyra e kampionatit sepse Roma është tashmë në grupin e skuadrave pretendente për titullin.

Dybala do të sjellë gola dhe asist në skuadër, do të rritet niveli i potencialit në sulm pasi në grup është edhe Zaniolo me Abraham. Formojnë një treshe të mrekullueshme, pa harruar Pellegrinin. Pastaj, në këtë lëvizje të Dybalës ka ndikuar edhe Mourinho pasi është e vështirë t’i thuash “Jo”, u shpreh Capello që në të kaluarën ka drejtuar gjithashtu edhe Romën.