Sporti

Capello: Nuk e kuptova strategjinë e Interit në ndeshjen ndaj Real Sociedad

12/15/2023 15:33
nga:Mergim Rreci

Gara e titullit në këtë sezon të Serie A duket se do të jetë mes Inter dhe Juventus, të paktën këtë lë të kuptosh klasifikimi pas 15 javëve të para me zikaltërit dhe bardhezinjtë që janë shkëputur disi nga Milani i vendit të tretë.

Trajneri i famshëm italian, Fabio Capello shprehet se Juventus ka fituar besim dhe në fushë shfaq personalitet ndërsa nga ana tjetër shtoi se nuk kuptoi strategjinë e Simone Inzaghit në Champions League.

“Te Juventus po shoh një bindje që nuk e kanë pasur më parë, lojtarët e dinë mirë se çfarë duan dhe si t’ia dalin për të arritur objektivin. Allegri ka në dispozicion një skuadër me shumë personalitet dhe me personalitet arrihet gjithçka. Personaliteti bën diferencën.

Por, sërish Inter mbetet favorite për titullin. Nuk e kuptova strategjinë e Inzaghit në Europë, ndeshja me Sociedadin ishte vendimtare për të shmangur rrugëtimin më të rrezikshëm në Champions League. Por, ai la në stol Lautaron për më shumë se një orë.

A nuk ishte më mirë që argjentinasi të luante më pak minuta ndaj Udineses, aq më tepër kur edhe rezultati ishte 3-0? Tani kanë ndeshjen me Lazion në Olimpico, unë pres që ta shoh atë freskinë e Interit në fushë sepse për këtë arsye ndryshuan në Champions”, u shpreh Capello.