Sporti

Capello flet për të gjitha në Serie A: Gara për titull dhe Evropën, problemet e Napolit dhe Romës

09/05/2023 20:35
nga:G C

Fabio Capello është një nga trajnerët më të mëdhenj italian dhe deklaratat e tij gjithmonë kanë vlerë dhe merren parasysh në Itali.

Ish-trajneri i top skuadrave italiane ka folur për sezonin e ri në Serie A, lufton për titull dhe Evropën.

77-vjeçari e sheh Interin si favorit për titullin e kampionit, por nuk e lë mbrapa as Milanin që e ka nisur gjithashtu mirë këtë edicion.

“Interi është skuadra që më ka lënë më shumë përshtypje për sa i përket vazhdimësisë. Ata nuk kanë humbur asgjë, ata ende duan të fitojnë dhe bëjnë shumë, shumë mirë. Fakti që ata nuk kanë pësuar gol e dëshmon këtë. Të gjithë vrapojnë, të gjithë sakrifikojnë, të gjithë duan të jenë në aksion”.

“Nëse do të më duhet të vija një bast për titullin, do të ishte për Interin. Ka një pankinë të pasur, ajo që i mungon Milanit. Milani pastaj është surpriza, në ndeshjen e fundit tregoi se është një skuadër, se ka lojtarë cilësorë dhe të fortë dhe mbi të gjitha se është më kompakt se vitin e kaluar”, tha Capello.

Ish-trajneri i Real Madridit është ndalur për të folur edhe për dy skuadrat tjera si Juventus dhe Napoli, duke thënë se kampioni në fuqi i Italisë do ta ndjej mungesën e qendërmbrojtësit Kim.

“Juve është ende një hibrid, ne nuk e dimë nëse ata luajnë me një sistem të ri, apo është skuadra e vitit të kaluar që nuk mund të ishte në fushë me një personalitet të madh. Napoli pastaj nuk luan më si vitin e kaluar, ushtron më pak presion, ka më pak dëshirë. Më është dukur një ekip që e ka humbur atë vendosmëri. Mungon Kim, një lojtar i rëndësishëm, por mbi të gjitha mungon filtri i mesfushës, diçka që nuk ka ndodhur kurrë sezonin e kaluar. Gjithashtu më duket se Napoli tashmë e lëviz topin më ngadalë”.

Krejt në fund Don Fabio Capello ka folur edhe për Romën, pasi është trajneri i fundit që i solli titullin e kampionit klubit kryeqytetas.

“Është e habitshme që Roma pëson kaq shumë gola, kjo varet edhe nga një lojtar që nuk është më me skuadrën, Matic, i cili kishte një vizion të madh për atë që po ndodhte, gjithmonë e poziciononte veten në mënyrën e duhur”.

“Për mendimin tim, kjo është një nga pikat që duhet rregulluar. Përpara pa imagjinatën e Dybalës është një ekip që nuk ka shumë cilësi. Roma, megjithatë, duhet të gjejë sërish mesfushën”.

“Krahasimi i Lukakut me Batistutën? Batistuta ishte një tjetër lojtar, kur Lukaku merr topin e mbron atë dhe e bën skuadrën të ngjitet lart, ka shpejtësi të mirë në kundërsulm. Do të jetë e rëndësishme kur të jetë Dybala, por nuk ka krahasim me Batistutën, ai kishte cilësi të rralla balistike në zonën e rreptësisë, si me kokë, ashtu edhe me këmbë”, tha Capello.