Gazetari dhe analisti në Mal të Zi, Mustafa Canka, ka thënë se posti i kryeministrit është finalja, për të cilën ka punuar Dritan Abazoviq.
“Ne mund të themi se kjo është një finale e pritur e rrugëtimit politik të Dritan Abazoviqit, një djalosh i cili tash e 10 vjet është në politikë. Nga 2016-ta ishte lider i partisë qytetare “URA” dhe para një viti e gjysmë u bë edhe zëvendëskryeministër i Malit të Zi. Në këto rrethana politike me një qeveri të brishtë që ishte më herët dhe një qeveri e cila nuk mund të kishte përgjigje në atë çka ndodh në botë, ne e fituam këtë qeveri, Dritanin dhe presim që ai ta përshpejtojë afrimin e Malit të Zi drejt Evropës”, ka thënë ai në Klan Kosovaa.
Por, sa do të jetë ulqinaku Dritan Abazoviq një kryeministër i mirë për shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi?
“Dritan Abazoviq është punëtor dhe i sjellshëm, si dhe i ka vullnetin dhe dëshirat. Ky është një vend më i vogël se Kosova dhe Shqipëria, por se ka me qenë më mirë nuk vihet në pyetje. Edhe Albin Kurtin e ka prejardhjen prej Ulqinit derisa Edi Rama është shpallur “Qytetar Nderi” i Ulqinit dhe të gjithë i konsiderojmë tonët”.
Canka ka thënë se pret që Dritan Abazoviq ta drejtojë Malin e Zi kah Bashkimi Evropian.
“Së shpejti, ai [Dritan Abazoviq] do të shkojë në Bruksel, këtu kemi zyrtarët nga ShBA-ja, derisa edhe ambasadorët e shteteve të Evropës e kanë uruar për zgjedhjen. Dritani sot e ka pasë mbledhjen e parë të qeverisë. Punohet me zell, vrullshëm dhe shpejt, prandaj presim që në qershor të fitohet edhe statusi i vendit kandidat për në BE”, tha Canka.


