Sporti

Cancelo: “Fitimi i Champions League është një ëndërr, ndoshta do të më realizohet me Bayernin këtë vit”

04/06/2023 17:56
nga:L J

Manchester City-Bayern po afrohet, për çerekfinalet e Champions League, një short që për Joao Cancelo sjell ndjesi më të thella, pasi që prej janarit ai është huazuar nga anglezët te gjermanët.

Në një intervistë për revistën Bayern, anësori portugez, i cili tashmë ka 1 gol dhe 4 asistime, thotë se mezi po pret ndeshjen, përcjell GazetaBlic Sport.

“Unë gjithashtu e shoh fillimin tim për Bayernin si pozitiv. Duhet gjithmonë një periudhë e caktuar përshtatjeje, prandaj jam përpjekur të integrohem sa më shpejt në ekip, të njoh shokët e rinj të skuadrës dhe sistemin në të cilin luajnë. Në nivel ekipor dhe personal, gjithçka po ecën shumë mirë deri tani”, thotë ai.

“Është një nder për mua që jam këtu, mund të përballemi me këdo, mund të mposhtim çdo formacion. Fitimi i Champions League është një nga ëndrrat e mia më të mëdha dhe nuk do të dorëzohem derisa ta arrij. Ndoshta funksionon me Bayernin këtë vit, nuk do ta kisha problem (qesh)”, potencoi ai.

Cancelo thotë se nuk hezitoi të pranonte huazimin – ai kishte humbur hapësirë ​​me Guardiolën – dhe se gjeti një klub shumë profesionist.

“Kur pata mundësinë t’i bashkohem këtij klubi të madh, thashë po menjëherë. Unë kam qenë në Spanjë, Itali dhe Angli dhe tani doja të përjetoja futboll edhe në Gjermani. Gjithçka dhe të gjithë në Bayern janë të fokusuar te suksesi absolut”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport