Ish-diplomati Blerim Canaj, ka folur në emisionin Rubikon për skenën politike në vitet e para të pasluftës në Kosovë.
Canaj tha se atëbotë politikanët ishin të gatshëm të bënin kompromise, pasi që Kosova veçse e kishte fituar lirinë.
“Pas lufte e ëndërronim një shtet për të cilin njerëzit kishin sakrifikuar, kishin vdekur, nga lufta dolëm me 13 mijë viktima, kështu që besoj se të gjithë kanë qenë të gatshëm të bëjnë kompromise që ta shohin shtetin duke ecur përpara, ka pasur një vullnet tjetër, kur është arritur ëndërra e madhe që ka qenë liria, pastaj synimet si ta bëjmë shtetin, ne me vite kemi jetu duke e paramendu datën e shpalljes së pavarësisë”, tha Canaj në Rubikon.
Ndërkaq kryeministrin e parë, Bajram Rexhepi, e ka cilësuar si kryeministër të guximshëm.
“Kur flasim për kryeministrin ka qenë një fazë… të kesh një kryeministër të shtetit, për shkak se për neve ka qenë shtet në momentin që e ke parë fotografinë e kryeministrit, automatikisht e ke pasur një simpati, një shpresë. Ai ka kaluar faza, siç ka qenë marsi që ka qenë e tmerrshme, por që e ka menaxhuar jashtëzakonisht mirë, nëse flasim për guximin ai u fut në mes të masës atje”, tha Canaj.