Lajme

Canaj pas deklaratave të Hazirit për një koalicion LDK-LVV?- Ka lënë hapësirë për zgjidhje politike nëse rrethanat ndryshojnë

06/18/2026 09:43
nga:Y I

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, është deklaruar pro një koalicioni LDK-LVV për daljen e vendit nga kriza institucionale.

Haziri potencoi se Vjosa Osmani do të tërhiqej nga kandidatura nëse emri i saj konsiderohet pengesë për arritjen e një marrëveshje.

“LDK as nuk e ka pas e as nuk e ka asnjë problem me emër të përveçëm. Nëse mendohet se znj. Osmani ka qenë apo mundet me qenë problem, unë ju siguroj edhe sot që vetë ajo ka konfirmu që nuk është emri i saj problem në arritjen e një marrëveshje bashkëpunimi mes partive politike për t’i dhënë vendit stabilitet”, ka deklaruar Haziri raporton “Gazeta Blic”.

Në lidhje me deklaratën e Hazirit ka folur për “Gazeta Blic”, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Blerim Canaj.

Canaj tha se një deklaratë e tillë më shumë mund të shihet si një pozicionim pragmatik sesa si një përafrim ideologjik me LVV.

Kjo sipas tij për faktin se Haziri vazhdimisht ka theksuar se LDK-ja ka pasur një ‘Jo’ për bashkëqeverisje me LVV-në.

Ai tha se i njëjti ka lënë hapësirë për zgjidhje politike nëse rrethanat ndryshojnë.

“Kjo mund të lexohet më shumë si një pozicionim pragmatik sesa si një përafrim ideologjik me LVV. Krejt kjo bazuar në faktin që edhe Haziri vazhdimisht ka theksuar se LDK-ja ka pasur një “Jo” për bashkëqeverisje me LVV-në, por gjithashtu ka lënë hapësirë për zgjidhje politike nëse rrethanat ndryshojnë dhe nëse vendi rrezikon bllokadë të gjatë institucionale” deklaroi Canaj.

Canaj tha se nga efekti politik, një deklaratë e tillë i shërben më shumë ruajtjes së manovrës politike të LDK-së sesa paralajmërimit të një marrëveshjeje të afërt me LVV-në.

“Politikisht, kjo mund të interpretohet si sinjal përgjegjësie për të mos e lënë vendin në krizë të pafund institucionale por edhe si përgatitje e terrenit për fleksibilitet politik në rast se zgjedhjet ose negociatat e ardhshme prodhojnë një aritmetikë parlamentare. Megjithatë, nga deklaratat publike të Hazirit ndër vite, ai ka qenë ndër zërat më kritikë ndaj Kurtit dhe LVV-së, prandaj një koalicion i tillë do të kërkonte ndryshime të mëdha politike dhe programore nga të dyja palët.Por gjithashtu nëse e shohim nga ana e efektit politik, mendoj se kjo deklaratë i shërben më shumë ruajtjes së manovrës politike të LDK-së sesa paralajmërimit të një marrëveshjeje të afërt me LVV-në” deklaroi Canaj në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/

Lutfi Haziri kërkon koalicion VV-LDK, thotë se Vjosa Osmani tërhiqet nga kandidatura për Presidente