Shkruan: Blerim Canaj
Në intervistën e tij pas sa kohësh, Albin Kurti vazhdoi me atë që di të bëjë më së miri: të gënjejë, të shtrembërojë dhe qëllimisht të sulmojë njerëzit që janë në Hagë, krerët e luftës që sollën lirinë dhe bënë shtetin që ai sot e përdor për karrierën e tij personale.
Duke folur për “ndikime politike nga Haga”, ai po tenton të ndërsejë edhe më tej jo vetëm opinionin e qorruar publik, por veçanërisht prokurorinë që t’i shohë ish-krerët e UÇK-së jo si burra që mbrojnë lirinë, pavarësinë dhe shtetin përballë një gjykate të padrejtë, por si njerëz që ndikojnë, apo që sipas tij “komandojnë” nga atje.
E kjo nuk është rastësi. Ky është sulm i drejtpërdrejtë, i qëllimshëm, i paramenduar. Ky është vazhdim i narrativës së vjetër që Kurti dhe partia e tij kanë ndërtuar ndër vite: të dëmtojnë reputacionin e luftës, të përbaltin liderët e saj dhe të largojnë çdo ndjenjë përkrahjeje institucionale ndaj tyre.
Me këtë intervistë Kurti u demaskua si bllokues i qëllimshëm edhe pas deklaratës së Enver Hoxhajt, i cili me gjithë faktin që e dinte që Kurti ishte kundër koalicionit VV–PDK, tha që nuk do ishte kundër një marrëveshje për të zhbllokuar shtetin, duke e vënë interesin e qytetarëve para politikës. Dhe Kurti u demaskua menjëherë duke e thënë atë që dihej që në fillim. Nëse pyesim se pse, përgjigja dihet: Sepse ai nuk e do zhbllokimin por bllokimin. Sepse në momentin më të rëndësishëm të procesit në Hagë, ai nuk dëshiron një shtet me qeveri që është i gatshëm të del në mbrojtje të së drejtës të atyre që u flijuan për këtë shtet. Ai dëshiron që ta lërë këtë proces të mbarojë pa ofruar përkrahje qeveritare që gjyqi të shkojë drejt dënimit sepse ai është gjithmonë në anën e prokurorisë, kurrë në anën e lirisë.
Pse ai është kundër PDK. Arsyeja është e qartë: Një qeverisje me PDK-në e frikëson Kurtin. Jo sepse ka frikë nga politika, por sepse e di që do të dalin në dritë të bëmat e tij të fshehta: Mashtrimet në emër të drejtësisë, heshtja dhe bashkëpunimi me ata që e përgatisin dosje të rrejshme kundër krerëve tanë, dështimet në qeverisje, hajnitë e heshtura dhe paktet në errësirë. Kurti nuk mund të jetë në një qeveri që e mbron luftën, sepse ai është simbol i kapitullimit politik dhe moral përballë Hagës.
Mos harroni: Një mandat të tërë, Kurti ka pasur si Ministre të Jashtme Donika Gërvalla Schwarz, një person që vetë ka deklaruar se ka çuar dëshmi në Hagë kundër UÇK-së. Publikisht dihen edhe njerëzit e Kurtit që ishin në kërkim të dëshmitarëve të rrejshëm.
E vazhdimisht çirren sikur ata ishin kundër gjykatës. E edhe pse çirren, asnjëherë, as Kurti e as Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë votuar kundër Gjykatës Speciale. Kurrë nuk kanë marrë qëndrim zyrtar për ta mbrojtur luftën. As deklarativisht. As institucionalisht.
Deklarata e zëvendësministrit të Drejtësisë për shumën e shpenzuar për mbrojtjen e krerëve të UÇK nuk ishte informacion, ishte sulm i pastër politik. Ishte përpjekje për t’i delegjitimuar ata publikisht, për t’i paraqitur si barrë për shtetin që vetë e ndërtuan me luftë.
Por le ta kujtojmë një të vërtetë:
Kjo “kosto” nuk do ekzistonte pa shpifjet që vetë këta njerëz të pushtetit i kanë bërë për vite me radhë. I kanë quajtur, “kriminelë lufte”, “hajna të pasluftës” e kështu duke e përgatitur terrenin për çdo aktakuzë të mundshme.
E sot, kur mbrojtja kërkon para për të pastruar baltën që e kanë hedhur pikërisht Albin Kurti & Co, këta dalin dhe ankohen për faturën.
Kjo thjesht është hipokrizi. Nuk është vetëm mungesë respekti, është bashkëpërgjegjësi në ndërtimin e një narrative që gjithmonë ka ndihmuar shumë prokurorinë.
Dhe sot, kur drejtësia është në betejën e saj më të rëndësishme, këta i japin zë sulmit politik në vend të mbështetjes kombëtare. Sepse nuk duan drejtësi, duan dënim. Kjo nuk është vetëm mosinteresim, kjo është strategji e qëllimshme për ta delegjitimuar luftën, për ta përdorur drejtësinë si armë dhe për të krijuar një shtet pa themelet e tij të vërteta.
Ky është Albin Kurti: Kryeministri që zgjedh t’i bashkohet prokurorisë, jo çlirimtarëve. Lideri që kërkon ta sundojë shtetin pa histori, pa ideal, pa UÇK. Njeriu që nuk do qeveri, sepse i frikësohet të vërtetës për veten e tij.
Dhe sot – edhe pse gjithmonë jam përmbajtur ta them – më shumë se kurrë, është detyrë e secilit që beson në liri ta thotë troç: Albin Kurti nuk pajtohet kurrë me themelin e shtetit të Kosovës sepse ai nuk është udhëheqës i shtetit të dalë nga lufta, ai si duket është projekt kundër tij.