Lajme

Canaj: Asociacioni është çështje e përfunduar

06/21/2024 18:42
nga:Sh R

Ish-diplomati, Blerim Canaj ka thënë se asociacioni është çështje e përfunduar , pasi që siç tha ai, në momentin e zotimit të kryeministrit Kurti për marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, aty gjendet edhe asociacioni.

I ftuar në emisionin “Ditari”, në Tëvë1, Canaj tha se nuk pret diçka nga takimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Derisa, ai shtoi se në këtë takim të të dyjave palëve do të flitet për Urën e Ibrit, si dhe çështjen e dinarit.

Canaj këtë takim e sheh më shumë si tendencë e Lajçakut, që t`a arsyetojë pagë e tij.

“Unë e kam përshtypjen që ne po e mashtrojmë qytetarin, Asociacioni është çështje e përfunduar, në momentin e zotimit të Albin Kurtit për marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, aty brenda është edhe asociacioni. Takimet e Kurtit për në nuk janë më të befasueshme, në momentin kur Kurti premtimin kryesor që të takohet me Vuçiqin e ka pasur gjetja e të pagjeturve, kërkim falja e Serbisë. Nuk kam diçka kundër takimeve, nuk pres diçka nga ky takim, pres të diskutohen disa çështje teknike gjatë rrugës me apo pa qëllim i ka futur Qeveria e Kosovës disa tema që kanë kaluar pastaj në Bruksel, me siguri flitet për Urën e Ibrit, çështjen e dinarit, kësi çështjesh teknike, arsyeja e takimit më shumë e shoh si tendencë apo përpjekje e Lajçakut që ta arsyetojë pagën të cilën e merr për shkak se ai duhet të bëjë diçka në çoftë se i është shtyrë deri në janar”, deklaroi Canaj.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen në Bruksel më 26 qershor, për të zhvilluar rundin e ri të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.