Sporti

Cana i bindur: Shqipëria shkon sërish në Europian

09/09/2023 17:24
nga:E K

Barazimi 1-1 në Çeki ka krijuar një atmosferë pozitive në kampin kuqezi. Tashmë po besohet seriozisht te kualifikimi në EURO 2024. Për paraqitjen e ekipit tonë kombëtar në Çeki ka folur Lorik Cana.

Ish kapiteni i Shqipërisë, në një intervistë për RTSH është shprehur se ekipi ynë ka seriozisht shanset për të qenë pjesë e Europianit në Gjermani. Në intervistën e tij, Cana ka thënë:

“Duke parë rezultatin kam përshtypje të mira pasi në fund të fundit bëhet fjalë për tetë finale. Duhen luajtur të teta si të tilla dhe nëse arrijnë lojtarët që të bëjnë diçka të tillë atëherë finalet e Europianit mund të jenë të prekshme.

De Biasi – Sylvinho| Mendoj se Shqipëria e 2016-ës ka qenë një skuadër, e cila nuk vuante shumë në aspketin mbrojtës pasi mbyllnim mjaft mirë të gjitha hapësirat dhe nuk u jepnim mundësi rivalëve që të na shënonin lehtë. Situatë tjetër shikoj tani pasi mendoj se Shqipëria aktuale pëson më lehtë gol, por ndryshe nga ne ka lojtarë më të rrezikshëm në sulm. Lojtarë të cilët dinë që të interpretojnë mjaft mirë edhe kundërsulmet e shpejta”, analizoi 40-vjeçari.

Polonia| Në të tilla situata ka shumë rëndësi momenti i skuadrave dhe jam i mendimit se momenti flet për Shqipërinë. E kam ndjekur Poloninë në takimin e fundit me Ishujt Faroe dhe jam i mendimit se është në vështirësi edhe pse ka lojtarë të mëdhenj, të cilët mund të bëjnë diferencën nga momenti në moment”, përfundoi Cana.