Hakan Calhanoglu ka dhënë një intervistë interesante, gjatë së cilës “harron” për disa momente modestinë. Gjithsesi, 30-vjeçari meriton çdo lëvdatë, pasi është ai truri i Interit të Simone Inzaghit, që po funksionon për mrekulli gjatë këtij sezoni.
“Muaj më parë u shpreha se jam ndër pesë regjisorët më të mirë në botë, por askush nuk më besoi. Gjithsesi, unë kam besim të madh te vetja, i njoh cilësitë e mia dhe nuk kam frikë nga askush.
Askush nuk i shënon golat që realizoj unë. Unë nuk shënoj gola nga një metër larg, por nga shumë larg. Si nga goditjet e dënimit. Unë bëj gjëra të vështira dhe të komplikuara.
Pesë më të mirët në rolin tim? Hakan Calhanoglu vjen i pari… Më pas me radhë: Rodri, Toni Kroos, Kimmich dhe Enzo Fernandez.
Nuk më pëlqen të kthej topin pas, preferoj të vertikalizoj menjëherë dhe të luaj shpejt topin. Provoj të shfrytëzoj hapësirat e krijuara.
Idhulli im? Andrea Pirlo. Më pëlqente shumë stili i tij i lojës dhe qëndrimi i qetë që kishte në fushë. Nuk e ndjente fare stresin dhe presionin. Nuk e harroj penalltinë që shënoi ndaj Hart në Euro 2012. Pirlo është idhulli im, ai ishte numri një”.
11 gola dhe 3 asiste numëron Calhanoglu deri në këtë fazë të sezonit. Interi po dominon Serie A dhe është shumë afër yllit të dytë. Skuadra italiane dëshiron t’i shkojë sërish deri në fund edhe Champions League.
Djemtë e Inzaghit thyen 1-0 Atleticon e Madridit në “San Siro” në takimin e parë të raundit të 1/8-ve. Duke u afruar me kualifikimin në çerekfinale, edhe pse në “Wanda Metropolitana” pritet betejë dhe sfidë tepër emocionuese.