Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.I.. shtetas i Maqedonisë së Veriut për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.
Shtetasit të Maqedonisë së Veriut i është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji, raporton Gazeta Express.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Mustaf Tahiri, ka vlerësuar se i pandehuri dyshohet se më 10 shtator 2021 në Ferizaj, pa autorizim ka shpërndarë dhe shitë substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotik, në atë mënyrë që ditën kritike pas marrëveshjes paraprake, përmes telefonit i shet të pandehurit N.S. substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 9.67 gram, për çmimin prej 40 €, me ç’rast menjëherë pas kësaj shit-blerje, me t’i vërejtur zyrtarët policor, ikë nga vendi i ngjarjes dhe në ikje e sipër hedh në një kosh të plehrave njëmbëdhjetë (11) qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 8.2 gram, të përgatitura për shitje, ndërsa me rastin e arrestimit, tek i njëjti zyrtarët policor gjejnë dhe sekuestrojnë përveç substancës së dyshuar narkotike të lartcekur, edhe një thikë të vogël bardhë e zi si dhe të hollat në shumë prej 40 €”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore të Ferizaj.
Sipas njoftimit të Gjykatës, i njëjti dyshohet edhe për disa vepra penale të tjëra të natyrës së njëjtë si dhe i njëjti nga kjo gjykatë me aktgjykim është shpallur fajtorë dhe është gjykuar për vepër të njëjtë penale.
“Gjykata shqyrtoi kundërshtimin e mbrojtësit të të pandehurit për caktimin e masës së paraburgimit duke i propozuar gjykatës që të pandehurin ta liroj për tu mbrojtur në liri, por të njëjtat propozime gjyqtari i procedurës paraprake i ka vlerësuar si të pabazuara në këtë fazë të procedurë penale, pasi në rastin konkret plotësohen kushtet ligjore nga KPPRK, dhe se masat e tjera alternative janë të pa mjaftueshme për pengimin e rrjedhës së procedurës penale, parandalimin e përsëritjes së veprës penale dhe zbatimin e suksesshëm te procedurës penale, duke marr parasysh edhe faktin se i pandehuri dyshohet për disa vepra penale të natyrës së njëjtë, e në veçanti faktin se i njëjti po nga kjo gjykatë me aktgjykim është shpallur fajtorë dhe është gjykuar për vepër të njëjtë penale” thuhet në komunikatë.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.